Bekim Haxhiu, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë akuza të forta lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës gjatë protestës së djeshme, duke pretenduar se qëllimi ishte arrestimi i djalit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, përkatësisht Endritit dhe Klestorit.
Në transmetimin special në Klan Kosova, kushtuar zhvillimeve të ditës, Haxhiu tha se gjatë protestës ka pasur përpjekje për t’i lënduar dy të rinjtë në mesin e turmës.
“Dy janë veprimet e policisë dje edhe përpjekja e tyre edhe me i lëndu edhe Klestorin edhe Endritin në mesin e turmës. Ka pasë qëllime, sepse njerëzit që kanë qenë afër tyre dhe që i kanë mbrojt sot janë të lëndum”, tha Haxhiu.
I pyetur nga gazetari Fidan Jupolli se cili, sipas tij, ishte mesazhi pas përpjekjeve për arrestimin apo lëndimin e Endritit dhe Klestorit, Haxhiu e lidhi situatën me mbështetjen që qytetarët e Kosovës u kanë dhënë ish-krerëve të UÇK-së dhe djemve të tyre.
“E para ka të bëjë me përkrahjen që qytetarët e Kosovës i kanë dhënë krerëve të UÇK-së dhe mbështetjen që e kanë dhënë për djemtë e tyre”, u shpreh ai.
Haxhiu më tej pretendoi se mbështetja e madhe e të rinjve për Endritin dhe Klestorin është një prej arsyeve që, sipas tij, e ka shqetësuar kryeministrin Albin Kurti.




