BE-ja kërkon reforma në drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, shpreh shqetësim për situatën politike në Kosovë

BE-ja kërkon reforma në drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, shpreh shqetësim për situatën politike në Kosovë

BE-ja kërkon reforma në drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, shpreh shqetësim për situatën politike në Kosovë

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë mbajtur takimin e tetë të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, ku është diskutuar për progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat themelore.

Sponsor 3M Express

Takimi u mbajt më 17 dhe 18 nëntor në Prishtinë, ndërsa u bashkëkryesua nga Gresa Selimaj Bytyqi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Zyrës për Kritere Politike në Zyrën e Kryeministrit, dhe Julien Crampes, zëvendësshef i njësisë përgjegjëse për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian.

Gjatë takimit, Kosova prezantoi progresin e arritur dhe planet për avancimin e reformave në fushën e drejtësisë, zbatimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian vlerësoi se situata politike dhe pasiguria e zgjatur institucionale në Kosovë kanë ndikuar në ritmin e reformave.

BE-ja theksoi nevojën për rikthimin e dinamikës institucionale, në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i reformave që lidhen me integrimin evropian të vendit.

BE-ja kërkon harmonizim të reformës në drejtësi me rekomandimet e Komisionit të Venecias

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte reforma në sistemin e drejtësisë, për të cilën BE-ja u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të zbatojnë zotimet e Deklaratës së Përbashkët të vitit 2023.

Sipas BE-së, reformat duhet të forcojnë pavarësinë, integritetin, efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit dhe prokurorisë, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Kosova, ndërkaq, theksoi se paketa e reformave synon të avancojë pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë funksionimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, statusin dhe përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe trajnimin profesional.

Megjithatë, BE-ja kërkoi që rekomandimet kryesore të Komisionit të Venecias, të cilat ende nuk janë adresuar, të harmonizohen me paketën para miratimit të legjislacionit në lexim të dytë.

BE-ja rikujton detyrimet e Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara

Në takim u diskutua edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Bashkimi Evropian përsëriti thirrjen që Kosova të respektojë detyrimet ndërkombëtare për garantimin e pavarësisë gjyqësore të kësaj gjykate, si dhe zotimin për të siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në përgjigje, pala kosovare rikujtoi se Dhomat e Specializuara janë themeluar vullnetarisht nga Kosova, pavarësisht ndarjeve të thella që ky vendim kishte shkaktuar në shoqëri.

Gjithashtu, u theksua se të gjithë personat e akuzuar ishin dorëzuar vullnetarisht në Gjykatë dhe kishin bashkëpunuar me të.

Kosova vuri në pah se është i vetmi vend i ish-Jugosllavisë që ka themeluar Dhoma të Specializuara me seli në një shtet të tretë.

Përfaqësimi i komuniteteve joshumicë dhe Kodi Civil

Një tjetër çështje e ngritur nga BE-ja ishte përfaqësimi i pamjaftueshëm i komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë në sistemin gjyqësor.

BE-ja kërkoi sigurimin e një gjyqësori shumetnik dhe respektimin e zotimeve të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe procesit të rregullt ligjor.

Kosova, nga ana e saj, theksoi se karakteri shumetnik është i mishëruar në rendin juridik të vendit dhe se Kushtetuta garanton të drejtat e komuniteteve.

Përfaqësuesit e Kosovës inkurajuan pjesëtarët e komunitetit serb që të marrin pjesë aktivisht në institucionet e vendit dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre.

Ndërkohë, BE-ja theksoi rëndësinë e miratimit në kohë të Kodit Civil, siç është paraparë në Agjendën e Reformave për Kosovën, dhe më pas të Kodit të Procedurës Civile.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Gjatë takimit u diskutua edhe për përditësimin e kornizës strategjike të Kosovës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

Kosova informoi për zhvillimet në fushën e konfiskimit dhe rikuperimit të pasurisë, duke veçuar miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në fushën e sigurisë, diskutimet përfshinë luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, narkotikëve, trafikimit me qenie njerëzore dhe kontrabandimit të migrantëve, si dhe çështjet e migrimit, vizave dhe azilit.

BE-ja, në këtë kontekst, theksoi rëndësinë e mbikëqyrjes së veprimtarive të organeve të zbatimit të ligjit, duke e cilësuar atë si element thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Shqetësimi për femicidin dhe sigurinë e gazetarëve

Në pjesën që lidhej me të drejtat themelore, palët diskutuan për rolin e Avokatit të Popullit, mbrojtjen dhe integrimin e komuniteteve joshumicë, sigurinë e gazetarëve dhe drejtësinë tranzicionale.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe barazisë gjinore dhe parandalimit të dhunës me bazë gjinore.

BE-ja theksoi se rasti i fundit i femicidit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për intensifikimin e përpjekjeve në parandalimin e dhunës dhe sigurimin e mbrojtjes efektive për gratë dhe vajzat.

Kosova, ndërkaq, kërkoi që institucionet përgjegjëse të veprojnë me shpejtësi dhe efektivitet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, duke garantuar zbatimin e masave mbrojtëse dhe mbështetjen e viktimave.

Në diskutimet për sektorin e mediave, u theksua se miratimi i legjislacionit kyç për Radio Televizionin e Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Mediave, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, mbetet prioritet.

Në përfundim të takimit, Kosova dhe Komisioni Evropian u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, përfshirë nivelin teknik, me synimin e zbatimit të reformave dhe adresimit të rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026.

Palët miratuan një sërë konkluzionesh konkrete me afate të përcaktuara, të cilat synojnë të ndihmojnë në përcaktimin e prioriteteve dhe përmbushjen e reformave të nevojshme në rrugën e integrimit evropian.

Para takimit, Komisioni Evropian dhe Zyra e Kryeministrit zhvilluan gjithashtu konsultime të ndara me organizatat e shoqërisë civile për çështjet që lidhen me drejtësinë, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore, lirinë e mediave dhe punët e brendshme.

Lexo edhe

Rama i kundërpërgjigjet Kurtit për Lojërat Mesdhetare: Pagesat s’i keni kryer, email-at s’i keni kthyer

Rama i kundërpërgjigjet Kurtit për Lojërat Mesdhetare: Pagesat s’i keni kryer, email-at s’i keni kthyer

Abdixhiku kritikon politikat ekonomike të Qeverisë: Me këtë trend, na duhen 80 vjet për ta arritur mesataren e BE-së

Abdixhiku kritikon politikat ekonomike të Qeverisë: Me këtë trend, na duhen 80 vjet për ta arritur mesataren e BE-së

Tre shqiptarë arrestohen në Torino, në banesën e tyre gjenden rreth tre kilogramë kokainë dhe një armë

Tre shqiptarë arrestohen në Torino, në banesën e tyre gjenden rreth tre kilogramë kokainë dhe një armë