Barcelona dhe Real Madridi kanë nisur kontaktet përmes ndërmjetësuesve për një transferim të mundshëm të sulmuesit norvegjez, Erling Haaland, në verën e vitit 2027.

Sipas raportimit të mediumit “TEAMtalk”, dy gjigantët e futbollit spanjoll po i përcjellin nga afër zhvillimet rreth 25-vjeçarit, i cili aktualisht është pjesë e Manchester Cityt.
Interesim për shërbimet e sulmuesit kanë shfaqur edhe Bayern Munichu dhe Paris Saint-Germaini, megjithatë, kontaktet më konkrete raportohet se janë zhvilluar nga Barcelona dhe Real Madridi.
Haaland ka kontratë me klubin anglez deri në vitin 2034, por dy skuadrat spanjolle besojnë se marrëveshja përmban mekanizma që mundësojnë largimin e tij para përfundimit të kontratës. Ky pretendim, megjithatë, është mohuar nga kampi i Manchester Cityt.
Një tjetër detaj që mund të ndikojë në të ardhmen e norvegjezit është fakti se ai nuk ka shprehur interesim për t’u transferuar te ndonjë klub tjetër në Premierligë.
E ardhmja e Haalandit pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara në afatet e ardhshme kalimtare, me Barcelonën dhe Real Madridin që mund të përballen në garën për të siguruar shërbimet e njërit prej sulmuesve më të kërkuar në futbollin evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





