Barcelona e ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të projektit madhështor të Spotify Camp Nou.

Klubi katalunas ka siguruar 300 milionë euro financim shtesë dhe ka arritur marrëveshje me kompaninë turke Limak që ajo të vazhdojë punimet deri në përfundimin e stadiumit.
Marrëveshja i jep fund pasigurive rreth vazhdimësisë së bashkëpunimit me Limak, pasi Barcelona kishte shqyrtuar mundësinë e angazhimit të një kompanie tjetër për fazën përfundimtare të projektit.
Tashmë, kompania turke do të jetë përgjegjëse edhe për vendosjen e çatisë së stadiumit, një prej fazave më të komplikuara të ndërtimit, shkruan “Goal”.
Për këtë operacion, Barcelona ka siguruar një financim prej 300 milionë eurosh përmes emetimit të obligacioneve, me Goldman Sachs si ndërmjetësues ekskluziv.
Ky financim është pjesë e një pakete më të gjerë prej 510 milionë eurosh, e miratuar nga anëtarët e klubit, ku përfshihen edhe 210 milionë euro përmes instrumenteve financiare të mbështetura në të ardhurat televizive.
Sipas planifikimit, vendosja e çatisë do të nisë pas përfundimit të sezonit 2026/27 dhe pritet të përfundojë gjatë gjysmës së dytë të sezonit pasues.
Barcelona synon të rikthehet në shtëpinë e saj në fillim të vitit 2028, ndërsa përfundimi i plotë i projektit parashikohet gjatë vitit 2028.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





