Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me mbështetjen financiare për bujqit.

Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se ‘gënjeshtrat’ e Qeverisë për grantet dhe subvencionet po demantohen nga vetë qytetarët.
Sipas Bajramit, bujqit kanë thënë se ende nuk është hapur as thirrja për grante për vitin 2026, ndonëse, siç ka theksuar ajo, data është 27 nëntor.
“Raporti i gënjeshtrave të Qeverisë po demantohet nga qytetarët.
Pyetni bujqit për grante e subvencione: ende ka dëme të pakompensuara të vitit 2023. Mos të flasim për dëmet e kësaj vere, kur ministri solidarizohej me bujqit nëpër arat e bërë rrafsh nga breshëri në komunën e Istogut.
Për më tepër sipas bujqve ende s’qenka hapur thirrja për grante për vitin 2026. E sot data është 27 nëntor.
KUR?
Disa e kemi ditur që me gënjeshtra keni ardhur deri këtu, por sot po e dinë të gjithë dhe ju garantoj se s’ka me shku edhe gjatë. Ky populli është shumë më i mençur se sa pandehni ju.
Nuk mundesh me i thënë bujkut “të kam ndihmur” kur ai ka marrë kredi në institucione mikrofinanciare me normë interesi 22%, për t’i mbjellë arat sepse ti e ke shpenzu buxhetin për zgjedhje.”





