Hetimet për vrasjen e Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami”, dhe nipit të tij, Jakup Hasani, në Fier të Shqipërisë, janë shtrirë edhe në Kosovë dhe Suedi.

Në fokus të hetuesve është një veturë e tipit “Volvo”, e cila ishte raportuar e vjedhur në Suedi në vitin 2023 dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit të dyfishtë.
Autoritetet shqiptare dyshojnë se automjeti kishte hyrë në Shqipëri nga Kosova, përmes pikës kufitare të Morinës.
Për këtë arsye, Policia e Shqipërisë u ka kërkuar homologëve kosovarë informacione lidhur me kalimin e automjetit, ndërsa po verifikohet edhe përfshirja e mundshme e shtetasve kosovarë në transportimin e tij.
Informacione janë kërkuar edhe nga autoritetet suedeze lidhur me rrethanat e vjedhjes dhe historikun e automjetit.
Vetura ishte gjetur e djegur në fshatin Dërmenas të Fierit, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin e autorëve të krimit dhe personave që mund t’i kenë ndihmuar.
Hakmarrja mbetet pista kryesore e hetimeve.
Selami Hasani kishte dalë nga burgu vetëm 20 ditë para se të vritej, pasi kishte përfunduar dënimin prej 25 vjetësh burgim për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





