Kompania “AS Senjak” ka reaguar ndaj pres konferencave të VLEN duke thënë se nuk kanë marrë asnjë kredi nga Alta Banka në Republikën e Serbisë dhe se e njejta ” e ka të drejtën të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e integritetit dhe reputacionit të saj”, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Të nderuar,
Ditëve të fundit, në hapësirën publike janë përhapur informacione dhe pretendime të pavërteta lidhur me “AS Senjak”. Për këtë arsye, e konsiderojmë të nevojshme të reagojmë publikisht për të sqaruar faktet dhe për të shmangur çdo keqinformim.
“AS Senjak” deklaron qartë dhe pa asnjë mëdyshje se nuk ka marrë asnjë kredi nga Alta Banka në Republikën e Serbisë. Po ashtu, nuk ka pasur asnjë rol apo ndikim në procesin e hyrjes së Alta Bankës në tregun e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky proces është në kompetencën e institucioneve përkatëse shtetërore.
Fatkeqësisht, emri ynë po keqpërdoret për qëllime politike, duke e përfshirë padrejtësisht kompaninë tonë në debate dhe përplasje dashakeqe që nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë tonë.
“AS Senjak” është një subjekt privat ekonomik, i pavarur në veprimtarinë dhe vendimmarrjen e tij. Të gjitha vendimet e kompanisë merren në mënyrë të pavarur, pa ndikimin e asnjë faktori politik apo faktori të jashtëm.
Reputacioni ynë është ndërtuar ndër vite, përmes punës së ndershme, korrektësisë dhe respektimit të ligjit.
Për këtë arsye, “AS Senjak” rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e integritetit dhe reputacionit të saj. Ndaj çdo personi fizik apo juridik që publikon ose shpërndan shpifje dhe pretendime të pavërteta që cenojnë kompaninë, do të kërkohet përgjegjësi përmes rrugëve ligjore dhe institucioneve kompetente.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, përkushtimi ynë mbetet ndaj punonjësve tanë dhe familjeve të tyre, të cilët përmes punës së ndershme në këtë kompani sigurojnë jetesën dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Me respekt, AS SENJAK” thuhet në deklaratën e kompanisë AS Senjak. /Telegrafi/





