Një 22 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në qytetin e Piacenzës, pasi dyshohet se është kapur në flagrancë duke shitur kokainë në zonën e Galleanës.

Sipas medias italiane Piacenzasera, arrestimi është kryer pas një operacioni të gjatë vëzhgimi dhe ndjekjeje nga pjesëtarët e Njësisë së Hetimeve të Policisë së Piacenzës.
I riu ishte vënë në shënjestër të policisë, pasi lëvizte në mënyrë të dyshimtë me një automjet të marrë me qira.
Policët civilë e kanë ndjekur përgjatë rrugës shtetërore SS45, ku ndërhynë në momentin kur 22-vjeçari dyshohet se po i shiste një dozë kokaine një shtetaseje italiane, në këmbim të 60 eurove, transmeton Telegrafi.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën disa doza droge dhe para në kartëmonedha me prerje të vogla. Hetimet çuan policinë edhe te vendbanimi i tij, një dhomë me qira në komunën e Caorso-s.
Gjatë kontrolleve në automjet dhe në dhomën ku qëndronte, policia sekuestroi gjithsej 28.8 gramë kokainë të ndarë në doza, 1.760 euro para të gatshme dhe një peshore precize.
Sipas policisë italiane, 22-vjeçari shqiptar nuk kishte vendbanim të përhershëm dhe qëndronte në Itali në mënyrë të parregullt. Ai dyshohet se kishte edhe precedentë të mëparshëm për trafikim të lëndëve narkotike në qytetet Cuneo dhe Parma gjatë muajve të fundit.
Pas paraqitjes para gjykatës në procedurë të përshpejtuar, arrestimi i tij është vërtetuar, ndërsa i riu është dërguar në burg./Telegrafi/





