Policia ka arrestuar dy persona të hënën pranë Shtëpisë së Bardhë, pas dy incidenteve të ndara në afërsi të parkut Lafayette Square në Washington.

Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një automjet që duket se është përplasur me një barrierë, ndërsa nga motori i tij dilte tym.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i automjetit ka shfaqur rezistencë ndaj zyrtarëve të rendit, por është arrestuar menjëherë, transmeton Telegrafi.
Një zëdhënës i Shërbimit Sekret amerikan bëri të ditur se incidenti i parë ndodhi pak para orës 10:00, në anën veriore të parkut Lafayette, në kryqëzimin e rrugëve 16th Street dhe H Street NW. Në vendngjarje reaguan policia e Shërbimit Sekret dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare.
Për arsye sigurie, ekipit për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese të policisë së Washingtonit iu kërkua të kontrollonte automjetin. Pas incidentit, rrugët përreth parkut u mbyllën për qarkullim.
Pothuajse në të njëjtën kohë, një person tjetër kapërceu një barrierë në pjesën veriperëndimore të parkut Lafayette. Edhe ai u arrestua nga autoritetet.
Pas ngjarjeve, Shërbimi Sekret zhvendosi përkohësisht gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave brenda sallës së konferencave të Shtëpisë së Bardhë. Ata u lejuan të largoheshin pak më vonë. Të dy incidentet janë duke u hetuar.
Arrestimet ndodhën vetëm pak ditë pasi autoritetet ndaluan një emigrant nga Venezuela pranë Shtëpisë së Bardhë, të enjten e kaluar.
Sipas Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS), zyrtarët gjetën personin brenda një automjeti të raportuar si të vjedhur, në të cilin kishte disa armë zjarri. Ai dyshohet se kishte kërcënuar se do ta vriste presidentin Donald Trump.
Shërbimi Sekret ndërhyri pasi vërejti të dyshuarin duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë në automjetin e parkuar në Constitution Avenue, në Washington.
Sipas DHS-së, ai u tha zyrtarëve se kishte dëgjuar zëra në kokën e tij që e urdhëronin të udhëtonte drejt kryeqytetit amerikan dhe të vriste Trumpin.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën tri armë zjarri, përfshirë një pushkë të tipit AR-15 dhe dy pistoleta, si dhe dhjetëra fishekë.
I dyshuari u identifikua si Ronny Yordrix Guanipa Chrinos. Sipas autoriteteve, ai kishte hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara përmes Teksasit në mars të vitit 2024 dhe ishte arrestuar nga Patrulla Kufitare, por më vonë ishte liruar në vend gjatë administratës së Joe Bidenit.
Pas arrestimit të tij, Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) kërkoi që Chrinos të mbahej në paraburgim nga Shërbimi i Marshallëve amerikanë, i cili aktualisht ka kujdestarinë e tij.
Shërbimi Sekret ka paralajmëruar se ky rast pasqyron kërcënimin në rritje nga personat e armatosur që afrohen në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë. /Telegrafi/




