Një numër i madh i shërbimeve online të kompanisë Apple janë përballur me ndërprerje teknike, duke shkaktuar probleme për përdoruesit në qasjen dhe shfrytëzimin e disa prej platformave më të përdorura të gjigantit amerikan të teknologjisë.

Ndër shërbimet e prekura janë Apple Music, App Store dhe disa funksione të iCloud. Probleme janë raportuar edhe gjatë përdorimit të Apple Pay.
Megjithatë, jo të gjitha platformat e kompanisë janë prekur nga kjo ndërprerje. Shërbimi i transmetimit Apple TV, sipas raportimeve, ka vazhduar të funksionojë normalisht.
Në faqen zyrtare ku Apple publikon statusin e shërbimeve të saj, kompania ka njoftuar se platformat e prekura “mund të jenë të ngadalta ose të padisponueshme”.
Deri më tani, Apple nuk ka dhënë detaje lidhur me shkakun e ndërprerjes dhe as nuk ka bërë të ditur se kur pritet të rikthehet funksionimi i plotë i shërbimeve.
Kjo ndërprerje vjen pas një serie problemesh teknike që gjatë ditëve të fundit kanë prekur edhe kompani të tjera të mëdha të teknologjisë. Javën e kaluar, shërbimi i postës elektronike Microsoft Outlook u përball me ndërprerje për një ditë të tërë, ndërsa një tjetër defekt teknik shkaktoi pezullimin e fluturimeve në disa aeroporte në Shtetet e Bashkuara, vetëm disa orë më vonë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





