Verdikti për lënien në fuqi të izololimit shtëpiak dhe pezullimit nga detyra për Vlora Hysenin është arsyetuar nga Apeli i Posaçëm me ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e 2 veprave penale dhe rrezikun e dëmtimit të hetimit, në rast të lënies së saj në liri pa kushte.

I njëjti vendim zbulon se SPAK ka zgjeruar hetimin ndaj ish-shefes së SHISH, pas dyshimeve për përfshirje në “korrupsion” dhe “pastrimtë parave”, shkruan A2.
Duke iu referuar komunikimeve të vazhdueshme mes Hysenit e Agasit dhe informacioneve që ndante me të, Apeli thekson se e dyshuara Hyseni ka vepruar në vijimësi në kundërshtim me detyrën e saj funksionale, duke mos e luftuar krimin e organizuar, por duke e përkrahur atë.
Mundësinë e dëmtimit të hetimit, Apeli e lidhte me aftësitë e prezumuara të Hysenit si ish-drejtuese shërbimi inteligjent në raport me gjurmimin e informacioneve, administrimin dhe përpunimin e tyre.
Në këtë pikë, Apeli përmend edhe sjelljen intimiduese të ish-drejtueses së SHISH ndaj gazetares Klodiana Lala, ditën e shqyrtimit të masës në Shkallën e Parë. “Personi nën hetim është rrezik potencial dhe eminent për të ndikuar tek provat dokumentare, tek provat me dëshmitarë apo edhe me akt ekspertimi”, arsyetonte Apeli.
Situatën e re penale të Hysenit, nisjen e verifikimi të disa transaksioneve bankare qindra mijëra eruoshe të anuluara drejt dy shoqërive të huaja, ku ishin pjesë të afërm të saj, Apeli e lidhi me mundësinë e përsëritjes së veprave penale nga e dyshuara. Në vendimin e Apelit zbardhet edhe dëshmia e dhënë në GjKKO nga Hyseni, e cila pasi ka shprehur keqardhje për pozitën në të cilën është, ballë ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, ka mohuar çdo akuzë.
“Jam shumë e qetë, sepse kam bërë vetëm punën time për shtetin tim, për shqiptarët dhe në asnjë rrethanë nuk kam vënë në dispozicion shërbimin (SHISH) për t’i shërbyer asnjë personi dhe asnjë iniciative që mund të dëmtonte në një mënyrë apo tjetër interesat e R.SH-së”, është shprehur Hyseni.




