Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, Miftar Ahmetajt, rreth 44-vjeçar, Blerton Ahmetajt, rreth 19-vjeçar, dhe Fazli Ndrecajt, rreth 47-vjeçar, të cilët ndodhen në paraburgim, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kultivuar dhe përgatitur për shitje 512 kilogramë marihuanë në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, në një periudhë të pavërtetuar deri më 16 shtator 2025, dyshohet se kanë kultivuar kanabis në dy parcela të një zone malore në Maqitevë. Për këtë qëllim, ata dyshohet se kishin vendosur një sistem ujitjeje, të përbërë nga rezervuari dhe gypa me sistem pikë-pikë.
Veprimtaria e tyre dyshohet se është zbuluar më 16 shtator 2025, gjatë kontrolleve të zhvilluara në një shtallë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë. Sipas Prokurorisë, droga ndodhej në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje dhe shitje.
Mostrat e ekzaminuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë kanë rezultuar pozitive për kanabis që përmban substancën psikoaktive THC.
Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, të tre të pandehurit akuzohen veçmas edhe për posedim të paautorizuar të armëve. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmëautomatike dhe municion.
Prokuroria ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i pasurisë dhe i sendeve që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar përmes tyre. Në mesin e tyre janë dy parcela me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë, shtëpia dhe shtalla, narkotikët dhe pajisjet për kultivim, armët dhe municioni, telefonat mobilë, traktori me rimorkio, si dhe prova të tjera materiale.
Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast, që nga zbulimi i mbi 512 kilogramëve marihuanë në Maqitevë, në shtator të vitit 2025. Fillimisht, Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht identitetin e Fazli Ndrecajt, i cili ishte shpallur në kërkim nga organet e rendit. Në mars të vitit 2026, ai ishte dorëzuar në Polici, ndërsa në tetor të po këtij viti u raportua edhe për arrestimin e dy personave të tjerë në kuadër të rastit të koduar “Shtalla”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





