Në intervistat në emisionin ‘Red Carpet’ me Medina Pasomën, këngëtarja Adelina Ismaili, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, këngëtarë të njohur dhe fituesja e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës për të rritur, Troja Biciuri, kanë ndarë emocionet dhe pritjet e tyre për mbrëmjen kushtuar fëmijëve.
Rikthimi i “Akordeve të Kosovës” po vazhdon me një kapitull të ri, duke u dhënë hapësirë artistëve të rinj që të prezantojnë talentin e tyre në një skenë të madhe. Përveç rëndësisë së festivalit në ruajtjen e traditës muzikore, nata e fëmijëve shihet edhe si një mundësi për të zbuluar zëra të rinj dhe për të krijuar kujtime që do t’i shoqërojnë garuesit gjatë gjithë jetës.

Në mesin e personaliteteve që kanë folur për rëndësinë e kësaj ngjarjeje janë edhe ata që kanë qenë pjesë e historisë së muzikës kosovare, por edhe përfaqësues të institucioneve që e vlerësojnë rikthimin e festivalit si pjesë të trashëgimisë kulturore.
Adelina Ismaili: Po na kthehet diçka shumë madhështore
Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili e ka cilësuar rikthimin e “Akordeve të Kosovës” si një ngjarje të rëndësishme për artin dhe kulturën, duke rikujtuar edhe lidhjen e saj personale me këtë festival.
Ismaili ka treguar se pjesëmarrja në “Akordet e Kosovës” ka qenë një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të saj artistik. Ajo ka kujtuar këngën “Ne jemi bukuria e atdheut”, me të cilën ishte prezantuar në festival dhe të cilën do ta interpretojë sërish pas 40 vjetësh.
Për të, rikthimi në këtë skenë nuk është vetëm një paraqitje muzikore, por edhe një rikthim te kujtimet dhe te një traditë që ka shoqëruar breza të tërë.
“Po na kthehet diçka shumë e bukur, po na kthehet diçka shumë madhështore. Arti dhe kultura jonë ka pasur nevojë për këtë festival”, ka thënë Ismaili.
Ajo ka shprehur mirënjohje për Radiotelevizionin e Kosovës për rikthimin e festivalit, duke vlerësuar punën e bërë për organizimin e tij, pavarësisht sfidave me të cilat përballet transmetuesi publik.
Ismaili ka theksuar se “Akordet e Kosovës” përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për muzikën vendore dhe për fëmijët që po bëjnë hapat e tyre të parë në skenë.
Këtë herë, këngëtarja do të ketë edhe një përgjegjësi të veçantë, pasi do të jetë kryetare e jurisë në natën e fëmijëve. Ajo ka pranuar se ky rol shoqërohet me përgjegjësi dhe emocione, sidomos kur bëhet fjalë për vlerësimin e performancave të garuesve të vegjël.
“Përgjegjësi e madhe, e përgjegjësia gjithmonë vjen me një dozë frike. Jam edhe kryetare e jurisë sonte, që e shton përgjegjësinë, e shton edhe frikën”, ka deklaruar ajo.
Sipas Ismailit, vlerësimi i fëmijëve është një detyrë e ndjeshme, pasi secili prej tyre ngjitet në skenë me talentin, përgatitjen dhe emocionet e veta.
“Të kesh punë me engjëjt, me fëmijët, është shumë e vështirë të caktosh se cili është më i mirë se tjetri”, ka thënë këngëtarja.
Ajo u ka bërë thirrje garuesve që ta shijojnë këtë përvojë dhe ta shohin pjesëmarrjen në festival si një kujtim të veçantë, pavarësisht rezultatit.
“Të gjithë janë fitues dhe fitorja më e madhe është një kujtim i bukur të cilin do ta kenë ndoshta pas 40 vitesh si unë”, ka thënë Ismaili.
Rikthimi i këngëtares në “Akordet e Kosovës”, pas katër dekadash nga interpretimi i saj i parë në festival, përbën një nga momentet që e lidhin historinë e këtij eventi me brezat e rinj që do të ngjiten në skenë.
Albulena Haxhiu: “Akordet e Kosovës” janë pjesë e trashëgimisë muzikore
Rëndësinë e rikthimit të festivalit e ka vlerësuar edhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e cila ka merr pjesë në mbrëmje së bashku me vajzën e saj.
Haxhiu ka kujtuar historinë e “Akordeve të Kosovës”, duke theksuar se festivali është pjesë e trashëgimisë muzikore të vendit që nga viti 1963.
Ajo e ka cilësuar rikthimin e festivalit si një ngjarje të jashtëzakonshme, ndërsa ka vlerësuar veçanërisht organizimin e natës së dedikuar për fëmijët.
“Padyshim që ‘Akordet e Kosovës’ janë pjesë e trashëgimisë muzikore që nga viti 1963. Dhe padyshim që kur rikthehen ‘Akordet e Kosovës’, është një ngjarje e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka treguar se vendosi ta merrte me vete vajzën e saj pikërisht për shkak të natës së fëmijëve, e cila u kushtohet artistëve të rinj dhe talentit të tyre.
Sipas kryeparlamentares, kjo mbrëmje përfaqëson një mundësi të veçantë për fëmijët që të performojnë në një skenë të madhe, para një publiku të gjerë, dhe të përjetojnë emocionet e para të një festivali muzikor.
“Është një moment shumë i mirë për fëmijët tanë që po performojnë në Kosovë. Ndoshta për disa prej tyre është hera e parë në një skenë të madhe, para kaq shumë publiku”, ka thënë ajo.
Haxhiu u ka uruar sukses të gjithë garuesve, duke shprehur bindjen se pjesëmarrja në festival do të jetë një përvojë e vlefshme për ta dhe një mundësi për të dëshmuar talentin e tyre.
Ajo ka falënderuar gjithashtu të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e “Akordeve të Kosovës”, duke vlerësuar punën për rikthimin e një festivali me rëndësi për kulturën dhe muzikën vendore.
Saranda Bogujevci: Duhet të sigurojmë qëndrueshmërinë e “Akordeve të Kosovës”
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vlerësuar lart paraqitjen e fitueses së çmimit të parë të edicionit të katërt të “Akordeve të Kosovës”, Troja Biciurrit, duke theksuar se talenti i saj shkon përtej interpretimit vokal.
Në intervistën për ‘Red Carpet’ në prag të festivalit të fëmijëve, Bogujevci ka thënë se Troja e ka merituar çmimin e parë, duke veçuar edhe aftësinë e saj për të shkruar tekste dhe kreativitetin artistik.
“Troja e ka merituar, ka qenë e jashtëzakonshme. Është kënaqësi me pa një talent që jo vetëm ka talent në këndim, por është edhe tekstshkruese. Kreativiteti i saj shkon përtej vetëm një zëri të bukur”, ka deklaruar Bogujevci.
Megjithatë, ministrja ka vlerësuar edhe garuesit e tjerë, duke thënë se niveli i konkurrencës ka qenë i lartë dhe se shumë prej tyre kanë merituar të shpërblehen.
Bogujevci e ka mirëpritur veçanërisht organizimin e edicionit të parë të festivalit për fëmijë, duke e cilësuar si një mundësi të rëndësishme që talentet e reja të prezantohen në një skenë të madhe.
“Jam shumë e lumtur që sonte skenën do ta kenë fëmijët. Është ndjesi e veçantë dhe më vjen mirë që është krijuar kjo mundësi që edhe fëmijët ta tregojnë talentin e tyre”, ka thënë ajo, duke falënderuar ekipin e RTK-së dhe të gjithë të përfshirët në organizim.
Duke folur për të ardhmen e festivalit, ministrja ka bërë të ditur se marrëveshja me RTK-në parasheh edhe dy vjet të tjera përkrahje për “Akordet e Kosovës”.
Ajo ka theksuar se sfida kryesore mbetet krijimi i një qëndrueshmërie afatgjatë, në mënyrë që festivali të mos jetë vetëm një rikthim i përkohshëm, por të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e jetës kulturore në Kosovë.
“Është tepër me rëndësi që së bashku të krijojmë një qëndrueshmëri për të ardhmen e festivalit. Kjo duhet të jetë prioriteti ynë dhe besoj se edhe do ta arrijmë. ‘Akordet e Kosovës’ kanë një histori shumë të madhe dhe janë pjesë e traditës, kështu që duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe të sigurojmë qëndrueshmërinë e tij në afatgjatë”, ka deklaruar Bogujevci.
Troja Bicurri: Fëmijët ta ndjekin ëndrrën e tyre
Në ‘Red Carpet’ ka qenë edhe Troja Biciuri, fituesja e edicionit të katërt të “Akordeve të Kosovës”, e cila është rikthyer në festival një ditë pas triumfit të saj në festivalin për të rritur.
Bicurri ka ndarë emocionet pas fitores, duke treguar se ende nuk i kanë kaluar plotësisht ndjenjat e përjetuara gjatë natës finale.
Ajo ka thënë se ngjitja në skenë ishte një përvojë magjike dhe se fitorja e çmimit të parë ishte e papritur për të.
“Të drejtën, hala jam me ethe prej mbrëmë. Kur kam hyrë në skenë ka qenë shumë magjike. Jam krenare për fitoren. Ka qenë e papritur ta fitoja çmimin e parë”, ka deklaruar Bicurri.
Për Trojën, suksesi ka edhe një domethënie të veçantë familjare. Këngëtari i njohur Esat Bicurri, axha i babait të saj, kishte fituar gjithashtu çmim në “Akordet e Kosovës”.
Kështu, lidhja e familjes Bicurri me festivalin shtrihet përtej një brezi, duke e bërë fitoren e Trojës edhe më domethënëse për të.
Ajo ka shprehur krenarinë që çmimi ka shkuar për herë të dytë në familjen e saj.
“Jam shumë krenare, sepse për herë të dytë ky çmim ka shkuar te familja jonë”, ka thënë ajo.
Fituesja e edicionit të katërt ka përcjellë një mesazh edhe 15 garuesve të rinj që do të prezantohen në natën e fëmijëve. Ajo i ka inkurajuar që të vazhdojnë të besojnë në vete, të punojnë dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.
“Unë kisha me u thënë të gjithë garuesve që janë më të vegjël, të ëndërrojnë, të vazhdojnë ëndrrën e tyre dhe të punojnë, sepse një ditë do t’u realizohet ëndrra, siç më është realizuar mua një pjesë e ëndrrës sime”, ka deklaruar Bicurri.
Troja tashmë është një shembull frymëzimi për garuesit që do të ngjiten në skenën e “Akordeve të Kosovës”.
Afrim Macula e Naser Dula vlerësojnë organizimin
Rikthimin e “Akordeve të Kosovës” e kanë përshëndetur edhe Afrim Macula dhe Naser Dula, të cilët kanë vlerësuar mundësinë që festivali u ofron talenteve të reja.
Macula ka thënë se Kosova kishte nevojë për një ngjarje të tillë, duke theksuar se vendi ka shumë fëmijë të talentuar që meritojnë hapësirë për t’u prezantuar.
Ai ka vlerësuar gjithashtu punën e bërë për rikthimin e festivalit, duke përmendur angazhimin e Florent Boshnjakut.
“Është kënaqësi e madhe që po rikthehen ‘Akordet’. Kemi shumë talente. Është mirë që puna e palodhshme e Florentit e ka treguar që dimë me mbajt, mundemi me mbajt festivale të tilla edhe kemi talente të reja”, ka thënë Macula.
Edhe këngëtari Naser Dula ka shprehur vlerësimin e tij për organizimin dhe konceptin e festivalit, duke theksuar rëndësinë e një programi të tillë për fëmijët.
“Sot vërtet është një madhështi që të shohësh një program për fëmijë, një koncept i cili i dedikohet ‘Akordeve të Kosovës’ për fëmijë. Andaj RTK-së i lumtë për një organizim të mrekullueshëm”, ka deklaruar Dula.
Burimi: RTKLive




