Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Xhemajl Mustafën në 26-vjetorin e vrasjes së tij, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e këtij rasti.
“Hero e patriot ishte Xhema. Për mënyrën si jetoi. Për guximin që pati të fliste në emër të një populli të pushtuar dhe për jetën që ia kushtoi lirisë së Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka kujtuar veprimtarinë e Mustafës si gazetar, redaktor kulture në “Rilindja”, njëri prej themeluesve të LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit Ibrahim Rugova.
“Xhema ishte gazetar e redaktor kulture në ‘Rilindja’. U bë njëri prej themeluesve të LDK-së dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Rugova. Bashkë me të punoi për ta organizuar qëndresën paqësore të shqiptarëve të Kosovës. Si zëdhënës i Presidentit, i tregoi botës çfarë po ndodhte këtu dhe, në prag të ndërhyrjes së NATO-s, përcolli thirrjen e Kosovës për ndihmë. Ai ishte ura e komunikimit tonë me botë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka kujtuar edhe qëndrimin e Mustafës në Prishtinë gjatë luftës dhe shkrimin e tij “Një lutje për Prishtinën”.
“Gjatë luftës, Xhema qëndroi në Prishtinë. Nga banesa e tij në Dardani shkroi ‘Një lutje për Prishtinën’. Aty na la dëshminë e luftës, ashtu siç e përjetoi një njeri që e donte qytetin e vet”, ka theksuar ai.
Kreu i LDK-së ka deklaruar se Mustafa u vra në Kosovën e lirë, për të cilën kishte punuar gjatë gjithë jetës së tij.
“Mu para asaj banese u vra 26 vjet më parë, në Kosovën e lirë për të cilën kishte punuar një jetë. Një intelektual i vrarë në Kosovën e lirë! Kosovën e tij, mu në vitin 2000. U vra sepse ishte LDK. Ky ishte ‘mëkati i tij’”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka kërkuar që familja Mustafa të marrë përgjigje për vrasjen e tij, duke theksuar përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.
“Familja Mustafa, si të tjera familje të Kosovës, kanë të drejtë të dinë kush ua vrau babanë, bashkëshortin, vëllanë dhe pse. Pse vritet një patriot? Pas 26 vjetësh, këtë përgjigje ende ua kemi borxh. Dhe përgjegjësinë për ta dhënë e ka Republika e Kosovës. Kjo përgjegjësi as nuk fshihet e as nuk harrohet”, ka deklaruar ai.
“Sot mendjen e kemi te familja e Xhemës. Ne e kujtojmë në këtë përvjetor. Atyre u mungon përditë. Familjes së tij dhe Kosovës i detyrohemi me drejtësi. I përjetshëm qoftë kujtimi për Xhemajl Mustafën”, ka përfunduar Abdixhiku.
Burimi: RTKLive





