A mund ta zhdukë një pilulë kancerin e pankreasit? Ilaçi që po konsiderohet përparimi më i madh në dekada

A mund ta zhdukë një pilulë kancerin e pankreasit? Ilaçi që po konsiderohet përparimi më i madh në dekada

A mund ta zhdukë një pilulë kancerin e pankreasit? Ilaçi që po konsiderohet përparimi më i madh në dekada

Një pilulë e re po quhet përparimi më i madh në trajtimin e kancerit të pankreasit në dekadat e fundit. Ajo i ka tkurrur tumoret te shumica e pacientëve, ndërsa te disa prej tyre kanceri nuk shihet më fare.

Sponsor 3M Express

Ilaçi quhet daraxonrasib dhe prodhohet nga kompania amerikane Revolution Medicines. Rezultatet e reja u prezantuan këtë javë në Barcelonë, në simpoziumin evropian-amerikan për terapitë e kancerit.

Çka treguan rezultatet?

Në studim morën pjesë 61 pacientë, të cilëve sapo u ishte diagnostikuar kanceri i avancuar i pankreasit, i përhapur edhe në organe të tjera.

Te 90 për qind e tyre tumoret ndaluan së rrituri. Te më shumë se 60 për qind tumoret u tkurrën ose u zhdukën. Te rreth 8 për qind, pra afërsisht një në dymbëdhjetë pacientë, kanceri nuk shihej më në skanerin CT.

Një vit pas fillimit të trajtimit, 76.6 për qind e pacientëve ishin gjallë. Me kimioterapi vetëm, zakonisht mbijetojnë një vit 40 deri 45 për qind e pacientëve.

Pacientët u ndoqën mesatarisht një vit e gjysmë, dhe te disa prej tyre kanceri nuk u kthye gjatë kësaj kohe.

Çka thonë mjekët?

Dr. Wungki Park, onkolog në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork, i cili i prezantoi gjetjet, tha se „kjo është gjëja më e afërt me shërimin”. Ai shtoi se kurrë nuk kishte parë kaq shumë tumore të zhduken te pacientët me kancer të përhapur.

„Imagjinoni, brenda 18 muajve sëmundja thjesht zhduket nga skaneri”, tha Park.

Shefja e organizatës britanike Cancer Research UK, Michelle Mitchell, e quajti këtë „hapin më të madh përpara që kemi parë në dekada” për të sëmurët me kancer të pankreasit. Megjithatë, ajo paralajmëroi se duhen ende studime të tjera.Reklamë

Si funksionon ilaçi?

Daraxonrasib është frenues i KRAS-it. Ai lidhet me disa mutacione të gjenit KRAS, të cilat gjenden në pothuajse të gjitha rastet e kancerit të pankreasit dhe e nxisin rritjen e tumorit, dhe i fik ato.

Për dekada, KRAS-i konsiderohej objektiv që nuk mund të goditet me ilaçe. Mutacione të ngjashme kanë edhe dhjetëra lloje të tjera të kancerit, prandaj shpresohet që ilaçi të funksionojë edhe për to.

Pse është lajm kaq i madh?

Kanceri i pankreasit është ndër më vdekjeprurësit. Gjysma e të diagnostikuarve vdesin brenda tre muajve. Kur kanceri përhapet në organe të tjera, vetëm rreth 3 për qind e pacientëve mbijetojnë pesë vjet.

Në pranverë, një studim i fazës së tretë me pacientë që kishin marrë më parë kimioterapi tregoi se daraxonrasib e dyfishoi mbijetesën krahasuar me kimioterapinë, nga 6.7 në 13.2 muaj.

Çka nuk dimë

– Sa kohë mund ta mbajë ilaçi sëmundjen nën kontroll.

– A do të arrijnë disa pacientë shërimin e plotë, sepse mjekët thonë se ende nuk mund të flitet për shërim.

– Kur do të miratohet përfundimisht dhe kur do të jetë në dispozicion jashtë studimeve klinike.

– Sa do të kushtojë.

– A do të funksionojë njëloj edhe për llojet e tjera të kancerit.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Irani kërcënon me sulme raketore në zona të reja: Jemi me gishtin në këmbëz

Irani kërcënon me sulme raketore në zona të reja: Jemi me gishtin në këmbëz

Komunat i reagojnë Kurtit: Boll na përçmove

Komunat i reagojnë Kurtit: Boll na përçmove

Roma e do Ernest Muçin, gati 22 milionë euro për shqiptarin

Roma e do Ernest Muçin, gati 22 milionë euro për shqiptarin

A mund ta zhdukë një pilulë kancerin e pankreasit? Ilaçi që po konsiderohet përparimi më i madh në dekada | Momenti