Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se 350 persona janë arrestuar në Paris të dielën dhe gjatë orëve të para të së hënës, pas protestave që u përshkallëzuan në dhunë në disa qytete të vendit.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, ka deklaruar se policia kishte humbur kontrollin e situatës gjatë protestave në disa qytete gjatë fundjavës, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

Nuñez ka pranuar gjithashtu se autoritetet nuk kishin bërë përgatitjet e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës. Ai ka thënë se i kishte ofruar dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, pasi ndihej përgjegjës për gjithçka që kishte ndodhur.
Megjithatë, Macron nuk e ka pranuar dorëheqjen.
Protestat në Francë u përshkallëzuan gjatë fundjavës, kur, sipas vlerësimeve të autoriteteve, më shumë se 500 mijë persona dolën në rrugë për të kundërshtuar kushtet e këqija në shkolla dhe rritjen e kostos së jetesës.
Shumica e demonstratave kanë qenë paqësore, por një pjesë e tyre përfunduan në përleshje dhe akte dhune. Sipas vlerësimeve, rreth 1 mijë e 500 dyqane dhe biznese janë plaçkitur ose shkatërruar.
Si nisën protestat në Francë?
Pakënaqësitë nisën në mesin e shtatorit, kur studentët në Paris filluan protestat kundër kushteve në arsim. Ata ngritën shqetësime për gjendjen e amortizuar të ndërtesave shkollore dhe mungesën e mësimdhënësve.
Protestat më pas u përhapën në qytete të tjera të Francës, ku disa prej tyre u shoqëruan me dhunë. Më 5 tetor, një 15-vjeçar humbi dorën nga një shpërthim gjatë një përplasjeje mes policisë dhe protestuesve.
Me kalimin e ditëve, demonstratave iu bashkuan qindra mijëra qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë mësimdhënës, pensionistë dhe sindikata.
Ndërkohë, në disa pjesë të Francës është rishfaqur edhe lëvizja e jelekëve të verdhë, e cila në të kaluarën ka organizuar protesta kundër pabarazisë ekonomike.
Burimi: Dukagjini




