E ardhmja e Arda Gulerit te Real Madridi mund të jetë në pikëpyetje, pasi mesfushori turk raportohet se ka refuzuar ofertën e klubit spanjoll për rinovimin e kontratës, duke hapur kështu mundësinë e një largimi të bujshëm nga “Santiago Bernabeu”.

Sipas mediumit turk Ajansspor, Real Madridi i ka ofruar 21-vjeçarit një pagë vjetore prej tetë milionë eurosh për të vazhduar bashkëpunimin, por lojtari nuk ka qenë i kënaqur me kushtet e propozuara dhe thuhet se i ka refuzuar ato.
Në këtë situatë, Paris Saint-Germaini po e monitoron nga afër zhvillimin e ngjarjeve dhe është gati të bëjë një përpjekje të madhe financiare për ta transferuar talentin turk në Francë.
Sipas raportimeve, kampionët francezë janë të gatshëm të ofrojnë deri në 200 milionë euro për kartonin e Gülerit, vlera e të cilit sipas Transfermarkt është 100 milionë euro.
Përveç kësaj, PSG thuhet se mund t’i ofrojë mesfushorit një pagë vjetore prej rreth 22 milionë eurosh, pothuajse trefishi i shumës që raportohet se i ka propozuar Real Madridi.
Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim për një ofertë zyrtare të PSG-së drejtuar Real Madridit dhe as për nisjen e negociatave mes dy klubeve.
Mediumi spanjoll El Gol Digital gjithashtu ka raportuar për interesimin e parisienëve, duke bërë të ditur se klubi po përcjell me vëmendje situatën kontraktuale të futbollistit.
Në fillim të tetorit, gazeta prestigjioze AS raportonte se Real Madridi dhe përfaqësuesi turk kishin arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit deri në vitin 2031.
Sipas atij raportimi, kontrata e re do të përfshinte edhe një rritje të pagës, ndërsa marrëveshja aktuale e Gulerit me madrilenët është e vlefshme deri në vitin 2029.
Edhe Mundo Deportivo, duke iu referuar gazetarit Fabrizio Romano, kishte raportuar se palët kishin arritur marrëveshje për rinovim, por kishte përmendur vitin 2032 si afatin e ri të kontratës./Telegrafi/





