Një zhvillim i bujshëm është raportuar në rajon, ku shtetasi boshnjak Nermin C., i njohur për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, është liruar nga autoritetet gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovina vetëm pak javë pas ekstradimit nga Zvicra.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, C. konsiderohet si një nga figurat e njohura të botës së krimit në Evropë dhe dyshohet për përfshirje në rrjete ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucionit.
Hetuesit zviceranë kanë ngritur dyshime edhe për përfshirje në raste që lidhen me shfrytëzimin e të miturve.
Ai kishte qëndruar për disa vite në paraburgim në Zvicër përpara se të ekstradohej në Bosnjë-Hercegovinë në fund të marsit 2026, me kërkesë të autoriteteve boshnjake.
Megjithatë, një gjykatë në Sarajevë vendosi lirimin e tij me masa të kufizuara sigurie, duke i ndaluar largimin nga vendbanimi dhe kontaktet me persona të caktuar.
Pavarësisht masave, raportimet mediatike theksojnë se ai është parë sërish aktiv në rrjetet sociale, duke ekspozuar jetë luksoze dhe automjete të shtrenjta, gjë që ka ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e vendimit gjyqësor.
Rasti ka nxitur reagime dhe shqetësime për trajtimin e dosjeve të krimit të organizuar në rajon, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim të detajuar publik mbi vendimin e lirimit të tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!



