Liverpooli dhe Chelsea i ndanë pikët në “Anfield”, duke barazuar 1-1 në ndeshjen e javës së 36-të të Ligës Premier.
Vendasit e nisën furishëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi që në minutën e gjashtë. Pas një aksioni të ndërtuar nga Rio Ngumoha, Ryan Gravenberch mori topin në skajin e zonës dhe e dërgoi saktë në këndin e djathtë të sipërm për 1-0.
Chelsea reagoi dhe krijoi raste të rrezikshme, me Marc Cucurella-n që pati një mundësi të madhe në minutën e 28-të në situatë një kundër një, por u ndal nga një pritje vendimtare e Giorgi Mamardashvilit.
Barazimi erdhi në minutën e 35-të, kur Enzo Fernandez realizoi një goditje dënimi të shkëlqyer, me topin që përfundoi në rrjetë pasi preku shtyllën e majtë për 1-1.
Në fillim të pjesës së dytë, Chelsea mendoi se e kishte përmbysur rezultatin, por goli i Cole Palmer u anulua me ndërhyrjen e VAR-it për pozicion jashtë loje.
Edhe Liverpooli pa një gol të anulohej për offside. Curtis Jones e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 58-të, por u sinjalizua jashtë loje.
Në vazhdim, Liverpooli ishte shumë pranë golit të fitores. Dominik Szoboszlai goditi shtyllën e majtë me një goditje të fortë nga skaji i zonës, ndërsa në minutën e 79-të Virgil Van Dijk tronditi traversën me kokë pas një goditjeje nga këndi.
Në fund, pavarësisht presionit dhe rasteve të mëdha, asnjëra prej skuadrave nuk e gjeti golin e dytë dhe u desh të pajtoheshin me nga një pikë./Telegrafi/


