Supermodelja britanike dhe ikona e modës, Naomi Campbell, ka mbërritur dje në Sarajevë, ku do të jetë pjesë e hapjes zyrtare të sezonit të ri turistik dimëror në Jahorinë, këtë herë në një rol krejt ndryshe nga ai me të cilin është bërë e famshme.

Ajo ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës gjatë orëve të pasdites, ku është pritur nga organizatorët e manifestimit “Ski Opening”. Campbell është shfaqur me shumë stil, duke tërhequr vëmendjen që në momentin e mbërritjes në kryeqytetin boshnjak.
Pas një qëndrimi të shkurtër në aeroport, ajo është nisur drejt Jahorinës, së bashku me ekipin e saj dhe organizatorët që e kanë pritur.
Nga pasarelat e modës te skena si DJ
Naomi Campbell në Sarajevë (Foto: T.S./Klix.ba)
Ndonëse famën botërore e fitoi në pasarelat e modës, ku e nisi karrierën që në adoleshencë dhe u shndërrua në një prej modeleve më me ndikim në histori, Naomi Campbell do të paraqitet në Jahorinë në një dimension tjetër artistik.
Gjatë viteve të fundit, ajo i ka kushtuar gjithnjë e më shumë kohë muzikës dhe performancave si DJ, duke qenë pjesë e ngjarjeve ekskluzive në vende të ndryshme të botës.
Muzika është kthyer në një sfidë të re krijuese për të, përmes së cilës ndërthur pasionin për ritmin, modën dhe jetën e natës. Kësaj radhe, ajo do të jetë në Jahorinë për të performuar si DJ dhe për të shënuar hapjen zyrtare të sezonit të ri dimëror turistik.
Kush është Naomi Campbell?
Naomi Campbell në Sarajevë (Foto: T.S./Klix.ba)
Naomi Campbell është një modele britanike, e lindur më 22 maj 1970 në Londër. Ajo e nisi karrierën në moshë të re, ndërsa në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90 u bë një nga modelet më të kërkuara në botë.
Së bashku me Christy Turlington, Linda Evangelista, Cindy Crawford dhe Claudia Schiffer, Campbell ishte pjesë e gjeneratës së supermodeleve që ndryshuan industrinë e modës dhe përcaktuan një epokë të re në këtë fushë.
Naomi Campbell në Sarajevë (Foto: T.S./Klix.ba)
Gjatë karrierës së saj, ajo ka sfiluar për stilistët më të njohur në botë, është shfaqur në kopertinat e revistave prestigjioze dhe ka qenë imazh i fushatave të disa prej shtëpive më të mëdha të modës.
Përveç modelimit, Campbell është angazhuar edhe në aktrim, televizion dhe projekte të ndryshme humanitare. Më shumë se tri dekada pas fillimit të karrierës, ajo vazhdon të mbetet një prej figurave më të njohura dhe më me ndikim në industrinë ndërkombëtare të modës. /Telegrafi/
Naomi Campbell në Sarajevë (Foto: T.S./Klix.ba)
Naomi Campbell në Sarajevë (Foto: T.S./Klix.ba)





