Zvonko Veselinoviçi dhe Milan Radoiçiçi dyshohet se ndodhen në Kirgistan, ndërsa dy episode të emisionit ku shfaqej biznesmeni serb, i lidhur me veriun e Kosovës, janë bllokuar në YouTube.

Për vite me radhë, Zvonko Veselinoviçi i është shmangur vëmendjes së publikut, por dy vjet më parë ai u shfaq para kamerave në emisionin Gjuetia në Rusi, të autorit Dmitry Panov.
Në pamjet e publikuara, Veselinoviçi shihet duke përgatitur ushqim, duke gjuajtur dhe duke ngritur dolli së bashku me prezantuesin dhe një të ftuar nga Rusia. Sipas raportimeve në media, Panovi kishte marrë në gjueti edhe ish-presidentin e Osetisë së Jugut, i cili tashmë shërben si këshilltar i presidentit rus, Vladimir Putin.
Ndërkohë, dy episode të emisionit të Panovit, në të cilat shfaqen Zvonko Veselinoviçi dhe vëllai i tij, Žarko, nuk janë më të qasshme në YouTube, pasi janë bllokuar.
Akuzat për gjueti të paligjshme
Lëvizja serbe “Kreni-Promeni” ka ngritur akuza për gjueti të paligjshme, duke kërkuar nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin veprime.
Sipas pretendimeve të kësaj lëvizjeje, gjatë viteve të fundit qindra derra të egër janë kapur në mënyrë të paligjshme dhe më pas janë transportuar në një kompleks të mbyllur gjuetie në malin Golija, i cili lidhet me Zvonko Veselinoviqin.
Ku ndodhen Veselinoviçi dhe Radoiçiçi?
Më 11 nëntor, portali KRIK raportoi se Zvonko Veselinoviçi kishte udhëtuar me avion nga Sarajeva drejt Turqisë.
Dy ditë më vonë, ish-inspektori i BIA-s, Milan Zvezdanoviç, deklaroi në një emision televiziv se Milan Radoiçiçi kishte shkuar në Rusi.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë në Beograd kishte marrë vendim për caktimin e paraburgimit deri në 30 ditë dhe lëshimin e një urdhër-arresti ndaj Radoiçiçit.
Dy ditë më parë, portali “Nova” publikoi informacione sipas të cilave Radoiçiçi dhe Veselinoviçi ndodhen në Kirgistan. Megjithatë, këto raportime nuk përbëjnë konfirmim zyrtar për vendndodhjen e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





