Jari Litmanen ishte një nga futbollistët më elegantë dhe më inteligjentë të gjeneratës së tij. Mesfushori finlandez shkëlqeu me Ajaxin në vitet ’90, fitoi Ligën e Kampionëve dhe la gjurmë edhe te gjigantë si Barcelona e Liverpooli.

Madje, ndikimi i tij ishte aq i madh, sa disa prej emrave më të njohur të futbollit, përfshirë Steven Gerrardin, Xavin dhe Zlatan Ibrahimovicin, e kanë përmendur si një prej lojtarëve që i kanë impresionuar dhe frymëzuar.
I njohur me nofkën “Mbreti”, Litmanen u dallua për teknikën e jashtëzakonshme, vizionin e lojës, pasimet e sakta dhe instinktin për gol.
Edhe pse dëmtimet ia penguan të arrinte potencialin e plotë në vitet e mëvonshme, ai mbetet një prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë e Ajaxit dhe një ikonë e futbollit finlandez.
Nga Finlanda drejt ëndrrës evropiane
Talenti i Litmanenit u shfaq që në moshë të re. Ai debutoi në futbollin profesionist me Reipasin në vitin 1986, kur ishte vetëm 16-vjeçar, ndërsa në vitin 1990, në moshën 19-vjeçare, u shpall futbollisti i vitit në Finlandë.
Pas paraqitjeve të mira në vendlindje, ai pati mundësinë të stërvitej edhe me Barcelonën, ku trajner ishte legjendari Johan Cruyff.
Ky i fundit e ftoi finlandezin të punonte me ekipin e parë, ku pati mundësinë të përballej në stërvitje me emra të mëdhenj si Michael Laudrup, Hristo Stoichkov dhe Pep Guardiola.
Megjithatë, rruga e tij drejt majës së futbollit evropian kaloi përmes disa klubeve finlandeze. Pas Reipasit, ai luajti për HJK Helsinki dhe MyPa, ku vazhdoi të dëshmonte se ishte një talent i veçantë.
Në vitin 1992, paraqitjet e tij në Kupën e Finlandës bindën skautët e Ajaxit që ta rekomandonin për transferim në Amsterdam.
Ajax, aty ku u bë legjendë
Në Ajax, Litmanen gjeti ambientin ideal për të shfaqur gjithë potencialin e tij. Fillimisht trajneri Louis van Gaal nuk ishte plotësisht i bindur për rolin e tij në skuadër, por pasi e vendosi në pozitën e preferuar si mesfushor ofensiv, finlandezi tregoi menjëherë cilësitë e tij.
Pas largimit të Dennis Bergkampit drejt Interit, Litmanen mori fanellën me numrin 10 dhe u bë një prej figurave kryesore të skuadrës holandeze. Ai u përshtat në mënyrë të përkryer me sistemin e Van Gaalit, duke krijuar një lidhje të jashtëzakonshme me lojtarë si Marc Overmars, Ronald de Boer, Edgar Davids dhe Clarence Seedorf.
Në sezonin e tij të parë të plotë si titullar, ai shënoi 26 gola në kampionat dhe ndihmoi Ajaxin të fitonte titullin e Eredivisies. Performancat e tij ishin mbresëlënëse, ndërsa ish-kapiteni i Ajaxit, Danny Blind, e vlerësonte për inteligjencën taktike dhe aftësinë për të luajtur si mesfushor dhe si sulmues i dytë.
Vetë Van Gaal kishte një vlerësim të jashtëzakonshëm për të, duke i thënë se gjatë karrierës së tij gjithmonë kishte kërkuar një futbollist me cilësitë e Litmanenit. Ishte një kompliment që tregonte rëndësinë e finlandezit në projektin e trajnerit holandez.
Maja e Evropës dhe finalja e vitit 1995
Kulmi i karrierës së Litmanenit me Ajaxin erdhi në sezonin 1994/95, kur skuadra holandeze fitoi Ligën e Kampionëve. Ajax arriti të mposhtte kundërshtarë të mëdhenj gjatë rrugëtimit drejt finales, përfshirë Milanin dhe Bayern Munichun.
Litmanen ishte një prej lojtarëve më vendimtarë të skuadrës. Ai shënoi gola të rëndësishëm në fazën e grupeve dhe në gjysmëfinale, duke ndihmuar Ajaxin të siguronte një vend në finalen e Vjenës kundër Milanit.
Në finalen e 24 majit 1995, finlandezi u aktivizua nga minuta e parë, por nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë fizike për shkak të problemeve shëndetësore. Ai u zëvendësua në pjesën e dytë nga Patrick Kluivert, i cili në minutën e 85-të shënoi golin e fitores 1-0 për Ajaxin.
Një vit më vonë, Litmanen ishte sërish protagonist në Ligën e Kampionëve. Ai shënoi në finale kundër Juventusit, por kësaj radhe trofeu përfundoi në duart e italianëve pas ekzekutimit të penalltive. Megjithatë, finlandezi e mbylli atë edicion si golashënuesi më i mirë i garës me nëntë gola.
Barcelona dhe Liverpooli, respekti i legjendave
Pas periudhës së jashtëzakonshme në Amsterdam, Litmanen u transferua te Barcelona në vitin 1999, ku u ribashkua me Louis van Gaalin dhe disa ish-bashkëlojtarë të Ajaxit. Megjithatë, dëmtimet e vazhdueshme e penguan të përsëriste paraqitjet e tij më të mira. Ai zhvilloi 32 ndeshje, por vetëm në 18 prej tyre ishte titullar.
Në janar të vitit 2001, ai iu bashkua Liverpoolit, ku pavarësisht hapësirës së kufizuar, arriti të linte përshtypje të jashtëzakonshme te bashkëlojtarët. Steven Gerrard, në autobiografinë e tij, kujtonte se ishte magjepsur që në momentin e parë kur e pa Litmanenin në stërvitje.
“Jari ishte si një mjeshtër shahu, gjithmonë duke parashikuar tri apo katër lëvizje përpara”, kishte shkruar Gerrard.
Edhe Jamie Carragher ishte impresionuar nga cilësitë e finlandezit, duke shprehur keqardhjen që Liverpooli nuk e kishte transferuar shumë më herët. Sipas tij, dëmtimet e penguan Litmanenin të tregonte të gjitha aftësitë në futbollin anglez.
Ndërkohë, Xavi e ka përmendur si një prej futbollistëve që e ndihmuan në fillimet e karrierës te Barcelona. Ai kujtonte se Litmanen i jepte këshilla, e inkurajonte dhe qëndronte pas stërvitjeve për të punuar individualisht. Edhe Zlatan Ibrahimovic, gjatë kohës së tyre te Ajax, e kishte vlerësuar për ndikimin që pati në zhvillimin e tij si sulmues.
Në moshën 55-vjeçare, ende në fushën e futbollit
Litmanen vazhdoi karrierën edhe pas largimit nga klubet e mëdha evropiane, duke luajtur në disa shtete dhe duke u rikthyer në Finlandë. Ai e mbylli në mënyrë jozyrtare karrierën profesionale te HJK Helsinki në vitin 2011, kur ishte 40-vjeçar.
Por pasioni për futbollin nuk u shua asnjëherë. Në korrik të vitit 2026, në moshën 55-vjeçare, ai u aktivizua për ekipin e tretë të klubit estonez Kalev Tallinn, në një ndeshje që përfundoi me fitore 4-2. Madje, në atë takim pati mundësinë të luante përkrah djalit të tij 20-vjeçar, Caros.
Nga një talent i jashtëzakonshëm në Finlandë, te triumfi në Ligën e Kampionëve dhe respekti i legjendave të futbollit, Jari Litmanen mbetet një emër i veçantë në historinë e këtij sporti.
– YouTube www.youtube.com
Një futbollist që nuk kishte nevojë për shpejtësi apo spektakël të tepruar, sepse inteligjenca, teknika dhe mënyra se si e kuptonte lojën e bënin të dallueshëm. /Telegrafi/





