Fotografi i njohur shqiptar, Fadil Berisha, është nderuar në Vatikan me medaljen përkujtimore “Humanitas Magnifica”, në vlerësim të vizionit të tij artistik dhe përkushtimit humanitar.

Ceremonia u mbajt më 22 tetor 2026, në kuadër të samitit ndërkombëtar “World Changers Summit 2026”, të organizuar nga Instituti për Studime të Avancuara dhe Bashkëpunim (IASC), në ambientet e Casina Pio IV, në Vatikan.
Medalja iu dorëzua Berishës nga profesori Gabriele Pao-Pei Andreoli, i cili e vlerësoi atë si fotograf dhe udhëheqës humanitar me ndikim ndërkombëtar.
Samiti mblodhi personalitete nga fusha të ndryshme për të diskutuar mbi besimin, etikën, dinjitetin njerëzor dhe përgjegjësinë përballë zhvillimeve teknologjike. Tema e këtij edicioni ishte “Multiverse of Trust in the Quantum Era”.
Fadil Berisha është një nga emrat e njohur të fotografisë së modës dhe portretit në Shtetet e Bashkuara. I lindur në Kosovë, ai ndërtoi karrierën e tij në New York, duke bashkëpunuar me personalitete të njohura të modës, artit dhe jetës publike.
Nderimi në Vatikan përbën një tjetër vlerësim për karrierën e tij shumëvjeçare dhe angazhimin humanitar, ndërsa për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe shqiptarët në përgjithësi është një moment krenarie për suksesin dhe përfaqësimin e një bashkëkombësi në një aktivitet ndërkombëtar.
Lajmin e bëri të ditur edhe profesori Andreoli përmes një publikimi në rrjetet sociale, ku shprehu kënaqësinë për pritjen dhe nderimin e fotografit shqiptar në këtë samit.
Ky vlerësim i shtohet rrugëtimit profesional të Fadil Berishës, i cili ndër vite ka promovuar përmes artit të tij edhe prejardhjen dhe identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare./Telegrafi/




