Organizata GERMIN ka realizuar tri module të Trajnimit të Trajnerëve për Angazhimin e Diasporës në Nivel Qendror dhe Lokal në Kosovë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe diasporës shqiptare.

Këtë gjë e kanë konfirmuar ata përmes një postimi në Faceebok, ku zbuluan detaje rreth trajnimit, për qëllimin dhe rezulatet e tij.
Sipas njoftimit, në trajnim morën pjesë zyrtarë komunalë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), si dhe të Asociacionit të Komunave të Kosovës, shkruan Telegrafi.
Përmes diskutimeve, rasteve praktike dhe punës në grupe, pjesëmarrësit trajtuan sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit institucional me diasporën, duke shkëmbyer përvoja dhe identifikuar qasje që mund të zbatohen në praktikë.
Një nga pjesët kryesore të trajnimit ishte hartimi i përbashkët i një manuali praktik për angazhimin e diasporës. Ky dokument synon t’u ofrojë zyrtarëve hapa konkretë, modele dhe mjete për të organizuar më mirë bashkëpunimin me bashkatdhetarët jashtë vendit.
Nisma synon që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe diasporës të jetë më i strukturuar, më transparent dhe më i dobishëm për të dyja palët, duke krijuar mundësi për përfshirje më të madhe të diasporës në zhvillimin e Kosovës.
Trajnimi u realizua në kuadër të Programit për Formësimin e Migrimit të Orientuar drejt Zhvillimit (MEG) në Kosovë, të mbështetur nga GIZ Kosova./Telegrafi/




