Gjykata Federale e Zvicrës ka refuzuar ankesën e një shtetasi të Kosovës, duke konfirmuar se leja e tij e përhershme e qëndrimit C kishte skaduar automatikisht, pasi ai nuk arriti të dëshmonte se kishte qëndruar vazhdimisht në territorin zviceran gjatë një periudhe kur autoritetet nuk kishin arritur ta lokalizonin.

Sipas vendimit të Gjykatës Federale, kosovari kishte hyrë në Zvicër më 11 tetor 1998, ndërsa lejen e qëndrimit C e kishte marrë më 30 korrik 2008, pas martesës me një shtetase kosovare që kishte leje qëndrimi në këtë shtet. Nga kjo martesë kishin lindur tre fëmijë, ndërsa divorci ishte finalizuar më 16 tetor 2019.
Çështja gjyqësore lidhej me periudhën nga 28 marsi 2022 deri më 17 tetor 2023, kur autoritetet zvicerane nuk kishin arritur ta gjenin dhe ta kontaktonin atë. Gjatë kësaj kohe, ai nuk kishte pasur adresë të regjistruar dhe nuk kishte paraqitur dokumente që do të dëshmonin se kishte qëndruar në Zvicër.
Ishte dënuar disa herë dhe ishte paralajmëruar për humbjen e lejes
Dokumentet gjyqësore tregojnë se shtetasi kosovar kishte pasur disa përplasje me ligjin, për të cilat ishte dënuar në periudha të ndryshme.
Mes viteve 2009 dhe 2016, ai ishte dënuar pesë herë për punësimin e shtetasve të huaj pa leje pune. Për këtë arsye, më 4 gusht 2016, autoritetet e migracionit të kantonit të Friburgut i kishin dhënë një paralajmërim, duke e njoftuar se në rast të mosndryshimit të sjelljes, leja e qëndrimit mund t’i revokohej.
Megjithatë, edhe pas këtij paralajmërimi, ai ishte dënuar sërish për punësim të paligjshëm të shtetasve të huaj. Në nëntor të vitit 2018 ishte dënuar për shkelje të ligjit për armët, ndërsa në janar të vitit 2019 për fyerje.
Më 2 prill 2020, gjykata e kishte dënuar me 24 muaj burgim, prej të cilëve 12 muaj efektivë dhe 12 muaj me kusht, me periudhë prove prej pesë vjetësh. Dënimi përfshinte edhe gjobë dhe dënim me para për disa vepra penale, përfshirë lëndimin e lehtë trupor ndaj bashkëshortes, ushtrimin e dhunës ndaj fëmijëve, kërcënimet, detyrimin dhe shkeljen e detyrimit për përkujdesje e edukim, si dhe vepra të tjera.
Ai ishte dënuar gjithashtu për shkelje të rënda të rregullave të trafikut dhe për vepra që lidheshin me sigurimet shoqërore dhe kontabilitetin.
Më 9 qershor 2021, autoritetet e Friburgut e kishin njoftuar për synimin që t’ia revokonin lejen e qëndrimit dhe ta dëbonin nga Zvicra. Megjithatë, më 20 shtator të po atij viti, ai kishte marrë një paralajmërim të fundit, përmes të cilit ishte njoftuar se vazhdimi i veprave penale apo grumbullimi i borxheve do të çonte në revokimin e lejes dhe dëbimin e tij.
Pas dëbimit nga banesa, autoritetet nuk arritën ta lokalizonin
Më 28 shkurt 2022, ndaj tij ishte ndërmarrë një procedurë dëbimi nga garazhi që merrte me qira në Granges-Paccot, në kantonin e Friburgut. Një muaj më vonë, më 28 mars 2022, ishte dëbuar edhe nga banesa që merrte me qira në qytetin e Friburgut.
Gjatë zbatimit të kësaj mase, autoritetet nuk kishin arritur ta gjenin dhe as ta kontaktonin. Ai nuk kishte tërhequr as letrat rekomande që i ishin dërguar në adresën e tij.
Më 20 prill 2022, autoritetet kishin kontaktuar ish-bashkëshorten e tij, por ajo kishte deklaruar se nuk kishte më kontakte me të dhe nuk e dinte vendndodhjen e tij. Edhe numri i telefonit që ajo kishte pasur nuk ishte më në përdorim.
Më 28 shtator 2022, emri i tij ishte hequr zyrtarisht nga regjistri i banorëve të qytetit të Friburgut. Një muaj më vonë, më 26 tetor 2022, autoritetet e kishin regjistruar largimin e tij drejt një destinacioni të panjohur, me efekt nga 28 marsi i po atij viti.
Ndërkohë, policia ishte përpjekur disa herë ta kontaktonte në kuadër të një hetimi penal për mashtrim, falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe shkelje të legjislacionit për kreditë e solidaritetit të lidhura me pandeminë COVID-19.
Më 29 mars 2023, ai ishte paraqitur vullnetarisht në polici. Gjatë marrjes në pyetje kishte deklaruar se nuk kishte adresë të përhershme dhe se qëndronte herë pas here në banesën e partneres së tij.
Më 17 tetor 2023, policia e kishte arrestuar në një kantier ndërtimi në komunën La Verrerie, në kantonin e Friburgut, në bazë të urdhërarresteve të lëshuara nga autoritetet penale. Më pas, ai ishte dërguar në paraburgim për të vuajtur dënimet me burgim të shqiptuara ndaj tij.
Pas lirimit me kusht, më 14 shkurt 2025, ai ishte vendosur në Lengnau, në kantonin e Bernës, ku jeton me partneren e re dhe fëmijën e tyre të përbashkët, i cili kishte lindur në vitin 2022 në Biel.
Pretendoi se nuk ishte larguar nga Zvicra, por nuk paraqiti prova
Gjatë procedurës, shtetasi kosovar kishte kundërshtuar përfundimin e autoriteteve se kishte qëndruar jashtë Zvicrës për më shumë se gjashtë muaj. Ai kishte pretenduar se nuk ishte larguar nga vendi dhe se, pavarësisht mungesës së një adrese të regjistruar, kishte vazhduar të qëndronte në territorin zviceran.
Si arsye për mosparaqitjen në zyrën e kontrollit të banorëve në Friburg, ai kishte përmendur gjendjen depresive, e cila, sipas tij, e kishte penguar të kryente procedurat e nevojshme.
Ai kishte theksuar gjithashtu se kishte qenë i pranishëm në lindjen e djalit të tij në Biel, më 8 tetor 2022, si dhe se kishte qëndruar herë pas here në banesën e partneres në kantonin e Bernës.
Megjithatë, gjykatat kishin vlerësuar se këto pretendime nuk ishin mbështetur me prova të mjaftueshme. Ai nuk kishte paraqitur kontratë pune, kontratë qiraje, fatura, gjoba apo dokumente të tjera që do të dëshmonin praninë e tij në Zvicër gjatë periudhës përkatëse.
Gjykata kishte marrë parasysh edhe faktin se ai ishte paraqitur vetë në polici më 29 mars 2023, çka dëshmonte se atë ditë ndodhej në Zvicër. Por, sipas arsyetimit gjyqësor, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të vërtetuar se kishte qëndruar vazhdimisht në vend gjatë gjithë periudhës.
Çfarë parasheh ligji zviceran për lejen e qëndrimit C?
Sipas nenit 61, paragrafit 2, të Ligjit për të Huajt dhe Integrimin (AIG/LEI), leja e përhershme e qëndrimit shuhet automatikisht pas gjashtë muajsh nëse mbajtësi largohet nga Zvicra pa e deklaruar largimin. Megjithatë, me kërkesë, vlefshmëria e lejes mund të ruhet deri në katër vjet.
Gjykata Federale kishte theksuar gjithashtu se, sipas nenit 90 të të njëjtit ligj, personi i përfshirë në procedurë ka detyrimin të bashkëpunojë me autoritetet dhe të paraqesë provat e nevojshme për sqarimin e rrethanave.
Në rastin konkret, gjykata kishte vlerësuar se autoritetet kishin paraqitur rrethana konkrete që vinin në dyshim vazhdimësinë e qëndrimit të kosovarit në Zvicër, ndërsa ai nuk kishte arritur të dëshmonte se nuk ishte larguar nga vendi për më shumë se gjashtë muaj.
Gjykata Federale ia refuzon ankesën
Shtetasi kosovar e kishte kundërshtuar vendimin e autoriteteve të Friburgut, duke kërkuar që leja e tij e përhershme e qëndrimit të konsiderohej ende e vlefshme.
Ai kishte argumentuar gjithashtu se vendimi cenonte të drejtën e tij për jetë familjare, duke pasur parasysh se partnerja dhe fëmija i tyre jetonin në kantonin e Bernës.
Megjithatë, Gjykata Federale kishte sqaruar se çështja e mundësisë për të përfituar një leje të re qëndrimi për shkak të lidhjeve familjare nuk ishte pjesë e procedurës së shqyrtuar. Kjo kërkesë duhet të trajtohet veçmas nga autoritetet kompetente të kantonit të Bernës.
Në vendimin e datës 9 shtator 2026, Gjykata Federale e kishte refuzuar ankesën, duke konfirmuar se leja e qëndrimit C kishte përfunduar automatikisht sipas ligjit.
Gjykata kishte refuzuar edhe kërkesën e tij për ndihmë juridike falas, por kishte vendosur të mos ia ngarkonte shpenzimet gjyqësore, duke marrë parasysh gjendjen e tij financiare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




