Grupi i hakerëve Akira ka kërkuar shpërblim pas sulmit kibernetik ndaj kompanisë PK Softech AG, furnizuese e softuerëve për fondin federal zviceran të pensioneve Publica. Autorët kanë kërcënuar se do t’i publikojnë ose rishesin të dhënat e vjedhura, ndërsa Departamenti Federal i Mbrojtjes i Zvicrës (VBS) është në dijeni të përpjekjes për zhvatje.

Sipas një hulumtimi të transmetuesit publik zviceran SRF, sulmuesit kanë kërkuar pagesë pas vjedhjes së të dhënave të ndjeshme. Disa burime kanë konfirmuar se autoritetet federale janë në dijeni të kësaj kërkese.
Rasti konsiderohet veçanërisht shqetësues, pasi dyshohet se në mesin e të dhënave të vjedhura mund të ketë edhe informacione për pjesëtarë të Shërbimit Federal të Inteligjencës dhe Zyrës Federale të Policisë (Fedpol), përfshirë zyrtarë që veprojnë brenda dhe jashtë vendit me identitete të rreme.
Sipas burimeve të SRF-së, autoritetet federale supozojnë se potencialisht në duart e kriminelëve mund të kenë përfunduar informacione për personelin federal.
Nuk dihet se kujt i është drejtuar kërkesa për shpërblim
Pas publikimit të hetimit, kompania PK Softech AG dhe fondi i pensioneve Publica deklaruan se nuk kishin pranuar asnjë kërkesë për shpërblim, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, Nicolas Mayencourt, drejtues i kompanisë së sigurisë kibernetike Dreamlab Technologies, e cila këshillon edhe institucionet qeveritare dhe kompanitë për rastet e zhvatjes, nuk sheh arsye për të dyshuar në deklaratat e tyre.
Sipas tij, përfundimi më i mundshëm është se hakerët ia kanë drejtuar kërkesën për shpërblim drejtpërdrejt qeverisë federale.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e ekspertit është fakti se më shumë se një muaj pas sulmit nuk ka ende asnjë shenjë se të dhënat janë publikuar.
“Është e pazakontë që kjo të zgjasë kaq shumë”, ka deklaruar Mayencourt.
Ai sheh tri mundësi për këtë situatë: autorët mund të kenë marrë shpërblimin, mund t’i kenë shitur të dhënat ose negociatat mund të jenë duke vazhduar për arsye taktike.
Të dhënat mund të përfundojnë në duart e shërbimeve të huaja të inteligjencës
Sipas Mayencourt, grupet e hakerëve si Akira i analizojnë me kujdes të dhënat e vjedhura për të përcaktuar shumën që mund të kërkojnë si shpërblim, por edhe për të identifikuar blerësit e mundshëm.
Informacionet që mund të zbulojnë identitetin ose aktivitetin e zyrtarëve të inteligjencës janë veçanërisht të vlefshme për shërbimet e huaja të inteligjencës, transmeton Telegrafi.
“Grupet kriminale të hakerimit po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me aktorët shtetërorë. Është e mundur që ata t’ua shesin të dhënat e vjedhura shteteve të huaja, përfshirë shërbimet e inteligjencës së huaj”, ka paralajmëruar Mayencourt.
Ai thekson se bashkëpunimi mund të funksionojë edhe në drejtimin e kundërt, pasi shërbimet e inteligjencës mund të përdorin kriminelët për t’i maskuar sulmet e tyre si kërkesa të zakonshme për shpërblim.
Këshilli Federal e ka diskutuar rastin në mënyrë konfidenciale
As Departamenti Federal i Mbrojtjes dhe as institucionet e tjera federale nuk kanë pranuar të komentojnë zyrtarisht mbi kërkesën për shpërblim.
Megjithatë, sipas hulumtimit të SRF-së, sulmi kibernetik ndaj furnizuesit të Publica-s është diskutuar sërish në Këshillin Federal disa ditë më parë, në një takim të zhvilluar në mënyrë konfidenciale.
Zëdhënësja e Këshillit Federal, Nicole Lamon, e ka konfirmuar diskutimin, duke deklaruar: “Këshilli Federal diskutoi për Publica të mërkurën e kaluar. Ai nuk do të japë asnjë informacion të mëtejshëm mbi këtë çështje”.
Eksperti paralajmëron kundër pagesës së shpërblimit
Eksperti i sigurisë kibernetike Nicolas Mayencourt shpreson që autoritetet zvicerane të mos paguajnë shpërblim për të dhënat e vjedhura.
Ai kujton se institucionet shtetërore kanë bërë pagesa të tilla edhe në raste të tjera. Sipas tij, dihet se kompania shtetërore e mbrojtjes Ruag i ka paguar vitin e kaluar një shpërblim grupit Akira, pas një sulmi ndaj degës së saj në Shtetet e Bashkuara.
Mayencourt paralajmëron se çdo pagesë e tillë financon drejtpërdrejt modelin e biznesit të grupeve kriminale.
“Nëse bëhet e ditur se autoritetet zvicerane po paguajnë, sulmuesit ka të ngjarë t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre dhe të kërkojnë objektiva të tjera”, ka paralajmëruar eksperti./Telegrafi/





