Vizita vjen në prag të katërvjetorit të dorëzimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor 2022, në Pragë, gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.
I shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës, Albesjana Iberhysaj Kapitaj, Zulfaj u takua me përfaqësues të institucioneve çeke dhe personalitete me përvojë në procesin e integrimit evropian.

Ndër të tjerë, ai zhvilloi takime me të dërguarën e Qeverisë çeke për Ballkanin, Edita Hrdá, ish-shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës së Qeverisë çeke.
Në kuadër të shkëmbimit të përvojave për integrimin evropian, Zulfaj u takua edhe me Pavel Telička, ish-kryenegociatorin e Çekisë për anëtarësim në BE.
Gjatë vizitës, ai zhvilloi takime edhe në Senatin çek me Pavel Fischer, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Siguri, si dhe me Jan Schiller, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Sipas njoftimit, diskutimet u përqendruan në mundësitë për avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, rolin e Çekisë në këtë proces, përvojën e saj në negociatat e anëtarësimit dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar. Në takime u diskutua edhe për sigurinë rajonale.
Zulfaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë për Kosovën, veçanërisht gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së në vitin 2022, kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim.
Ai shprehu mirënjohje edhe për kontributin e më shumë se 8 mijë ushtarëve dhe pjesëtarëve të personelit çek që kanë shërbyer në Kosovë, duke kontribuar në sigurinë dhe paqen në vend dhe në rajon.
Praga mbetet një pikë e rëndësishme në rrugëtimin evropian të Kosovës, pasi pikërisht në këtë qytet u dorëzua zyrtarisht aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Burimi: RTKLive




