Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan është pajisur me pajisje moderne në vlerë prej 17,497 eurosh, me qëllim të rritjes së kapaciteteve për reagim në raste emergjente.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Gjilanit, përmes një njoftimi në Facebook, ku thuhet se furnizimi është realizuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME).
Në pranimin e pajisjeve ka marrë pjesë edhe drejtori Enver Shabani, i cili ka theksuar rëndësinë e këtij furnizimi për rritjen e gatishmërisë dhe efikasitetit të ekipeve të shpëtimit.
Sipas njoftimit, pajisjet e reja do të përdoren gjatë intervenimeve në raste zjarresh, aksidentesh, vërshimesh, tërmetesh dhe situatash të tjera emergjente.
Komuna e Gjilanit ka falënderuar Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave për bashkëpunimin dhe mbështetjen në fuqizimin e kapaciteteve të zjarrfikësve. /Telegrafi/





