Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shpresën se fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara do të sjellë rritje të mbështetjes amerikane për Kievin në luftën kundër Rusisë.

Në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, Zelensky ka thënë se pret që ndryshimet politike që mund të pasojnë marrjen e kontrollit të të dy dhomave të Kongresit nga demokratët vitin e ardhshëm, të ndikojnë pozitivisht në mbështetjen për Ukrainën.
“Jam gjithashtu mirënjohës ndaj republikanëve, por demokratët flasin shumë qartë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës për Ukrainën”, ka deklaruar Zelensky, sipas komenteve të publikuara në gjermanisht nga ZDF para transmetimit të plotë të intervistës.
“Ata flasin për rivendosjen e lidhjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës… Prandaj, ekziston shpresa se do të krijohet një ekuilibër i forcave dhe se ne do të marrim më shumë mbështetje”, ka shtuar ai.
Kreu i shtetit ukrainas ka vlerësuar se shtimi i ndihmës amerikane, qoftë financiare apo ushtarake, mund të ndikojë drejtpërdrejt në qëndrimin e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Nëse Kongresi tani flet për mbështetje të fuqishme financiare ose ndihmë ushtarake, ashtu siç po bën dhe po dëshmon sot Evropa, atëherë kjo do të ishte diçka pozitive që do të ndikonte te Putini”, ka cituar ZDF të ketë thënë Zelensky.
Ndërkohë, presidenti ukrainas ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar marrëdhëniet me homologun e tij amerikan, Donald Trump, të cilat janë tensionuar në disa raste. Një nga momentet më të vështira ishte takimi në Zyrën Ovale në shkurt të vitit 2025, kur Zelensky u përball me akuza se ishte “mosmirënjohës” për ndihmën e ofruar nga SHBA-ja.
Javët e fundit, Trump ka ndërmarrë disa hapa që kanë favorizuar interesat e Rusisë, përfshirë një marrëveshje për importimin e naftës ruse dhe lehtësimin e sanksioneve.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po vazhdojnë. Bisedimet trepalëshe të udhëhequra nga SHBA-ja, me pjesëmarrjen e Ukrainës dhe Rusisë, pritet të rifillojnë javën e ardhshme, pas një ndërprerjeje disa mujore.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Steve Witkoff, ka bërë të ditur të hënën se delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë do të mblidhen në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor, me qëllim diskutimin e përfundimit të luftës, marrëveshjeve të sigurisë për periudhën pas luftës dhe uljes së tensioneve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




