Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina dëshiron t’i japë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe është e gatshme për negociata, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, në Oslo.
Takimi u zhvillua në kohën kur marrëdhëniet mes Zelenskyt dhe Trumpit janë përkeqësuar.

Zelensky ka bërë të ditur se Witkoff do të udhëtojë të mërkurën drejt Rusisë dhe se ai dëshiron që i dërguari amerikan t’ia përcjellë Moskës idetë e diskutuara për një zgjidhje të mundshme paqësore, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Presidenti ukrainas ka thënë se një nga mundësitë e diskutuara është organizimi i një takimi mes tre liderëve, por ka theksuar se mbetet të shihet se si do të reagojë presidenti rus, Vladimir Putin.
“Le të shohim se çfarë do të thotë Putini”, ka deklaruar Zelensky.
Duke folur për rezultatet e takimit, ai ka theksuar se Ukraina synon të përshpejtojë përpjekjet për përfundimin e luftës dhe se është e gatshme të ulet në tryezën e negociatave.
“Sigurisht, ne nuk po e humbim këtë luftë, por po humbim njerëz, sepse Rusia sulmon”, ka thënë Zelensky.
Ai ka shprehur shpresën se partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do ta ndihmojnë vendin për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky do të takohet me Witkoff, ndërsa raportet mes Kievit dhe Uashingtonit përkeqësohen
Burimi: Dukagjini




