Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë pretendimet se vendi i tij po e humb luftën me Rusinë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore mbetet një nga pasojat më të dhimbshme të konfliktit.

“Ne nuk po e humbim këtë luftë, por po humbim njerëz”, ka deklaruar ai, duke nënvizuar se lufta po ua merr fëmijëve mundësinë për të pasur një fëmijëri dhe jetë normale.
Lideri ukrainas ka theksuar se përfundimi i luftës sa më shpejt është i domosdoshëm, ndërsa ka shprehur shpresën se partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, do të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën.
Duke folur në Oslo, Zelensky ka komentuar edhe bisedimet me të dërguarin e presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, duke bërë të ditur se palët kanë diskutuar disa ide konkrete për arritjen e paqes.
Sipas tij, një nga mundësitë është organizimi i një takimi trepalësh mes liderëve, me qëllim trajtimin e çështjeve që mund të zgjidhen vetëm në nivelin më të lartë politik.
Zelensky ka bërë të ditur se Witkoff pritet të udhëtojë në Rusi, ku do të zhvillojë bisedime, ndërsa ka thënë se mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë presidenti rus, Vladimir Putin.
Ai ka komentuar gjithashtu raportimet për bisedime të mundshme trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, duke këmbëngulur se asnjë marrëveshje për të ardhmen e Ukrainës nuk mund të arrihet pa përfshirjen e saj.
“Nuk mund të ketë asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, ka theksuar presidenti ukrainas.
Presidenti ukrainas ka deklaruar se sistemi i inteligjencës amerikane për zbulimin e sulmeve me raketa tashmë po funksionon.
Ai ka theksuar se paralajmërimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve ukrainas, veçanërisht të fëmijëve dhe civilëve, në mënyrë që ata të njoftohen me kohë për raketat balistike që po afrohen.
Gjatë ditëve të fundit, Ukraina ka raportuar kufizime në përdorimin e sistemit satelitor Starlink, i cili luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vendit nga sulmet ruse. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com




