Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm për negociata, pas takimit me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, raporton BBC.

Takimi u zhvillua në Oslo, në një kohë kur marrëdhëniet mes presidentit ukrainas dhe presidentit amerikan, Donald Trump, janë përkeqësuar.
Zelensky bëri të ditur se Witkoff do të udhëtojë të mërkurën drejt Rusisë. Ai tha se pret që SHBA-ja t’i paraqesë idetë e diskutuara gjatë takimit, të cilat synojnë të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme paqësore.
Kreu i shtetit ukrainas shtoi se një nga propozimet e diskutuara është mbajtja e një takimi mes tre udhëheqësve, por theksoi se mbetet të shihet se si do të përgjigjet presidenti rus, Vladimir Putin.
Në konferencën për media, Zelensky u shoqërua nga presidenti finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre.
Stubb deklaroi se bisedimet e zhvilluara gjatë ditës kishin shënuar përparim të vërtetë, duke shtuar se palët kishin identifikuar disa elemente që mund të kontribuojnë në arritjen e paqes.
Ndërkohë, Zelensky shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për rikthimin e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës që ndihmojnë në paralajmërimin e sulmeve ruse.
Ai theksoi se sistemet e paralajmërimit të hershëm janë të rëndësishme për sigurinë e popullit ukrainas.
Shtetet e Bashkuara kanë mohuar më herët se e kanë kufizuar ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka cilësuar si skandaloze akuzat se ukrainasit po humbnin jetën për shkak se Uashingtoni po i mbante të fshehta informacionet e inteligjencës nga Kievi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




