Xhelali e Donika duhet të largohen. Të turpëruar!

Xhelali e Donika duhet të largohen. Të turpëruar!

Xhelali e Donika duhet të largohen. Të turpëruar!

Përgjegjësia nuk mund të përfundojë te policët, prokurorët apo gjykatësit që kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë. Ajo duhet të arrijë deri në majë të hierarkisë institucionale dhe politike. Dorëheqjet e Xhelal Sveçlës dhe Donika Gërvallës do të duhej të kishin ndodhur tashmë.

 

Sponsor 3M Express

Imer Mushkolaj

 

Arlinda Zekaj nuk u vra pse askush nuk e dinte se ishte në rrezik. Nuk u vra pse nuk kishte kërkuar ndihmë. As pse nuk i kishte paralajmëruar institucionet. Përkundrazi, ajo kishte bërë atë që një qytetare duhet ta bëjë kur ndihet e kërcënuar: kishte kërkuar ndihmë nga policia, kishte raportuar dhunën, kishte kërkuar mbrojtje nga gjykata dhe kishte alarmuar prokurorinë për rrezikun që i kanosej. Madje, vetëm tri ditë para se të vritej, i kishte shkruar kryeprokurores së Pejës, duke ia bërë të qartë se jeta e saj ishte në rrezik. Megjithatë, u vra.

Kjo është pjesa më e tmerrshme e gjithë kësaj tragjedie. Arlinda nuk ishte një grua që shteti nuk arriti ta gjente për ta mbrojtur. Ishte një grua që shkoi vetë te shteti, trokiti në dyert e institucioneve dhe kërkoi të mos lihej vetëm përballë njerëzve që e kërcënonin. Por institucionet nuk ia ofruan mbrojtjen e nevojshme. Në fund, ajo mbeti viktimë e dhunës, por edhe e një sistemi që nuk funksionoi atëherë kur duhej të funksiononte më së shumti.

Kur një qytetare paralajmëron se mund të vritet dhe institucionet nuk arrijnë ta mbrojnë, nuk kemi të bëjmë vetëm me një rast kriminal. Kemi të bëjmë me një dështim të shtetit.

Kronologjia e rastit është tronditëse. Që nga raportimi i parë i dhunës në korrik, kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente në shtator, e deri te paralajmërimi drejtuar kryeprokurores pak ditë para vrasjes ishin sinjale që duhej të aktivizonin mekanizmat e mbrojtjes. Kishte vonesa, mangësi dhe mosveprime institucionale. Kjo nuk është më çështje interpretimi politik. Është një alarm për mënyrën se si institucionet tona e trajtojnë jetën e grave që kërkojnë mbrojtje.

Por, kjo tragjedi shpërfaq edhe diçka tjetër: kalbjen e një sistemi drejtësie që shpesh duket sikur ekziston më shumë për t’i përmbushur procedurat, sesa për t’u dhënë qytetarëve drejtësi. Një polici që regjistron denoncime, merr deklarata dhe plotëson formularë, por jo domosdoshmërisht e kupton seriozitetin e rrezikut. Një prokurori që mund të ketë në duar informacione për kërcënime serioze, por nuk arrin të veprojë me urgjencën që kërkon një situatë e tillë. Një gjykatë që duhet të jetë garanci e mbrojtjes, por që në raste të caktuara shndërrohet në një hallkë tjetër të pritjes dhe vonesave.

Çfarë kuptimi ka urdhri mbrojtës nëse nuk zbatohet? Çfarë kuptimi ka denoncimi në polici nëse viktima vazhdon të jetojë me frikën se nesër mund të mos jetë gjallë? Çfarë kuptimi ka një sistem drejtësie që reagon vetëm pasi të ndodhë vrasja?

Në këtë histori nuk duhet të anashkalohet as përgjegjësia politike. Xhelal Sveçla, si ministër i Punëve të Brendshme dhe Donika Gërvalla, si ministre e Drejtësisë, nuk mund të sillen sikur kjo tragjedi është një çështje që u përket vetëm zyrtarëve të nivelit më të ulët. Sigurisht, ministrat nuk i marrin vetë në trajtim denoncimet e qytetarëve, nuk i hartojnë aktakuzat dhe nuk i shqiptojnë vendimet gjyqësore. Por, pikërisht për këtë ekzistojnë pozitat që mbajnë: për të garantuar funksionimin e institucioneve, mbikëqyrjen e politikave dhe llogaridhënien për dështimet në sektorët që drejtojnë.

Është e papranueshme që pas një rasti të tillë përgjigjja e tyre të jetë se dorëheqja nuk do të ndihmonte në fuqizimin e grave apo në zbardhjen e përgjegjësive. Të gjithë e dime se dorëheqja e dy ministrave nuk do ta kthejë Arlindën në jetë. As se dorëheqja do t’i zëvendësonte hetimet, ndjekjen penale dhe dënimin e atyre që kanë përgjegjësi. Çështja është shumë më e madhe: a ekziston në këtë vend një standard i përgjegjësisë politike?

Dorëheqja e Sveçlës dhe Gërvallës nuk do të ishte vetëm akt moral, por përgjegjësi politike për dështimin e institucioneve nën drejtimin e tyre. Do të ishte mesazh se jeta e një qytetareje nuk mund të trajtohet si statistikë, se humbja e jetës pas paralajmërimeve të përsëritura nuk mund të kalojë me disa konferenca për media dhe disa deklarata për hetime. Do të ishte edhe një mënyrë për të krijuar hapësirë që përgjegjësitë të trajtohen pa pasur ministrat nevojën të mbrojnë pozitat e tyre.

Është e vërtetë se janë suspenduar disa zyrtarë policorë, si dhe zyrtarë të prokurorisë. Por, suspendimi nuk është drejtësi. Nuk është as përfundim i hetimit dhe as zëvendësim për përgjegjësinë individuale e institucionale. Duhet të hetohet çdo veprim dhe mosveprim, çdo vonesë, çdo vendim dhe çdo neglizhencë. Askush nuk duhet të mbrohet nga pozita, grada apo lidhjet politike.

 

* * *

 

Kjo tragjedi duhet të shërbejë si alarm për të gjitha institucionet, por edhe për shoqërinë. Nuk mjafton të dalim në rrugë pas çdo vrasjeje, të mbajmë protesta, të publikojmë fotografi dhe të bëjmë thirrje për drejtësi, për t’u kthyer pastaj në rutinën e zakonshme deri në rastin tjetër. Duhet të ndryshojë mënyra se si trajtohet dhuna ndaj grave. Duhet të kuptohet se kërcënimi nuk është konflikt familjar, se dhuna nuk është çështje private dhe se viktima nuk duhet të detyrohet të provojë vazhdimisht se jeta e saj është në rrezik.

Policia duhet të reagojë menjëherë, prokuroria të veprojë me urgjencë, gjykatat të mos i zvarrisin procedurat dhe institucionet sociale të mos i trajtojnë viktimat si raste administrative. Duhet të ekzistojë një sistem që komunikon, bashkërendon veprimet dhe e përcjell rastin deri në sigurimin e mbrojtjes së viktimës. Sepse nuk mjafton që secili institucion të thotë se e ka kryer pjesën e vet të punës, nëse në fund qytetarja mbetet e pambrojtur.

Edhe shoqëria duhet ta refuzojë normalizimin e dhunës, arsyetimet për dhunuesit dhe mentalitetin që gruan e sheh si pronë të dikujt. Heshtja, relativizimi dhe fajësimi i viktimave janë pjesë e një kulture që e ushqen dhunën dhe ua lehtëson rrugën atyre që e ushtrojnë.

Kryeministri dhe Qeveria nuk mund të mjaftohen me pranimin e raporteve dhe premtimin se do t’i analizojnë ato. Duhet të publikohen gjetjet, të identifikohen përgjegjësit dhe të merren masa konkrete. Por, përgjegjësia nuk mund të përfundojë te policët, prokurorët apo gjykatësit që kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë. Ajo duhet të shkojë deri në majë të hierarkisë institucionale dhe politike.

Arlinda Zekaj nuk kishte nevojë për ngushëllime, konferenca për gazetarë dhe deklarata solidariteti. Kishte nevojë për mbrojtje. E kërkoi atë, por nuk e mori. Ky është dështimi që nuk mund të mbulohet me asnjë raport dhe me asnjë premtim për hetime.

Nëse as rasti i saj nuk është i mjaftueshëm për të kërkuar përgjegjësi politike, atëherë duhet pyetur se çfarë duhet të ndodhë tjetër që dikush në këtë shtet të jep llogari. Një shtet që nuk arrin ta mbrojë një grua, e cila paralajmëron se mund të vritet, nuk mund të pretendojë se po përmbush detyrimin e tij më themelor ndaj qytetarëve.

Arlinda nuk duhet të mbetet edhe një emër në listën e grave të vrara. Vrasja e saj duhet të bëhet pikë kthese dhe pikënisja e kësaj kthese duhet të jetë përgjegjësia. Edhe politike. Edhe institucionale. Edhe penale. Shteti nuk dështon vetëm kur vrasësi tërheq këmbëzën. Dështon edhe kur viktimën e lë vetëm, pasi ajo ka kërkuar ndihmë. Dhe, për këtë dështim, dikush duhet të jep llogari.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Armëpushimi në Oleshky përfundon më 1 nëntor, evakuohen banorët e qytetit ukrainas të pushtuar nga Rusia

Armëpushimi në Oleshky përfundon më 1 nëntor, evakuohen banorët e qytetit ukrainas të pushtuar nga Rusia

Vrasja e paralajmëruar e Arlinda Zekajt, as Gërvalla e as Sveçla nuk japin dorëheqje

Vrasja e paralajmëruar e Arlinda Zekajt, as Gërvalla e as Sveçla nuk japin dorëheqje

Millanov: Makinat VLT janë pronë e Lotarisë, dëshmitari konfirmoi se prokurimi ishte i planifikuar

Millanov: Makinat VLT janë pronë e Lotarisë, dëshmitari konfirmoi se prokurimi ishte i planifikuar

Xhelali e Donika duhet të largohen. Të turpëruar! | Momenti