Kryeprokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime për të shqyrtuar trajtimin institucional të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.

Përmes një njoftimi zyrtar, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se koordinatorit nacional për rastet e dhunës në familje i është dhënë autorizimi për të analizuar të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku viktimë ishte e ndjera.
Gjithashtu, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar një raport i detajuar me shkrim për kronologjinë e trajtimit të rasteve të Arlinda Zekajt.
Raporti duhet të përfshijë identitetin e personave të raportuar, cilësimin juridik të rasteve, prokurorët që i kanë trajtuar ato, veprimet procedurale të ndërmarra dhe kohën kur janë ndërmarrë, si dhe vendimet e nxjerra dhe arsyetimin përkatës.
Po ashtu, kërkohet sqarim për vlerësimin e rrezikut dhe masat e ndërmarra ose të kërkuara për mbrojtjen e viktimës, komunikimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, si dhe trajtimin e shkresës së Arlinda Zekajt të datës 22 tetor 2026.
Në kuadër të këtyre veprimeve, edhe Inspektorati Policor i Kosovës është udhëzuar që të ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore dhe verifikuese lidhur me të gjitha rastet e raportuara nga e ndjera në Polici.
Sipas njoftimit, shqyrtimi do të përfshijë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të raportimeve të saj, si dhe veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë dhe identifikimit të përgjegjësive eventuale individuale e institucionale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka theksuar se çështja do të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme, ndërsa pas pranimit dhe analizimit të dokumentacionit do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale.
Në njoftim thuhet se, nëse konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga zyrtarët përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Siç ka raportuar Gazeta Sinjali, i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili dyshohet se e goditi me sëpatë.
Sinjali ka raportuar më herët se Arlinda kishte denoncuar dhunë në familje dhe ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga një patrullë policore pak minuta para se të gjendej pa shenja jete.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




