Eksperti i sigurisë, Murat Makolli, dhe ish-hetuesi Visar Rrecaj kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Duke folur në Five në TV Dukagjini, Makolli ka thënë se Sveçla duhet të mbajë përgjegjësi morale, duke theksuar se ai ka qenë në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme për një mandat të plotë.
Sipas tij, ministri është dashur të merret me parandalimin dhe trajtimin e rasteve të tilla, e jo vetëm të reagojë pasi ato ndodhin.
“Ministrat së paku moralisht të shikojnë vetveten në pasqyrë dhe të japin dorëheqje. Sepse Xhelal Sveçla nuk është qe një muaj apo gjashtë muaj ministër, është një mandat të plotë tash pesë vjet. Është ministër i Punëve të Brendshme dhe është dashur të merret me këto raste, sepse ka qenë dikasteri kryesor i sigurisë. Dhe tani të merret, kur të ndodhë, kur të kesh pasoja, të merret me këto raste, është neglizhim i punës së tij në ministri. Mendoj që duhet të japë dorëheqje dhe në atë pozitë të vijë një njeri që ka njohuri në çështje të sigurisë, të dijë se çfarë bën me sigurinë, me ministrinë dhe Policinë”, ka deklaruar Makolli.
Edhe ish-hetuesi Visar Rrecaj është pajtuar me kërkesën për dorëheqje, duke thënë se ministrat është dashur të ndërmarrin një hap të tillë që nga dita e parë pas rastit.
Ai ka kritikuar, siç e ka quajtur, përdorimin e standardeve të dyfishta nga ana e ministrave, duke rikujtuar se në të kaluarën kanë kërkuar dorëheqje për çështje të ndryshme politike.
“Edhe unë pajtohem me Makollin që ministrat, edhe i Punëve të Brendshme, por edhe e Drejtësisë, qysh atë ditë të parë që ka ndodhur rasti është dashur moralisht të japin dorëheqje nga pozitat e tyre. Edhe në aspektin politik, që të tregojnë konsistencë në qëndrimet e tyre, sepse nuk mund të luash me dy standarde. Kur para pesë-gjashtë vjetësh për secilën çështje kanë kërkuar dorëheqje, kurse kur u ndodh rasti kur vetë janë në ato pozita, thonë jo, nuk po japim, se s’kemi arsye”, ka deklaruar Rrecaj.




