Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës në Shtime, pasi dyshohet se ka vjedhur një veturë nga oborri i një shtëpie.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 24 nëntorit 2026, rreth orës 18:15, në rrugën „Shote Galica“ në Shtime. Sipas informacioneve të para, ankuesi kishte raportuar në stacionin policor se i ishte vjedhur vetura e tipit „Golf 2“, me ngjyrë të kaltër dhe targa vendore, e cila ishte e parkuar në oborrin e shtëpisë së tij me çelësat e lënë brenda.
Pas pranimit të informacionit, njësitë hetuese policore kanë nisur menjëherë veprimet në terren dhe sot, më 25 nëntor 2026, kanë arritur ta identifikojnë dhe shoqërojnë në polici të dyshuarin M.M., 19-vjeçar.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit në lidhje me rastin, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale „Vjedhje“, i cili do të procedohet në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, vetura e vjedhur i është kthyer pronarit të ligjshëm, kurse hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Lidhur me rastin, Sinjali ka raportuar sot gjatë ditës.
Burimi: Sinjali





