Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se mbulimi i shpenzimeve për protezat e invalidëve të luftës është institucionalizuar, duke siguruar subvencionim të plotë për këtë kategori.
Vitia në Kuvend ka thënë se deri në vitin 2024, mbulimi i shpenzimeve për proteza nuk ka funksionuar në mënyrë të institucionalizuar dhe ka qenë i varur nga vullneti i qeverive për ndarjen e fondeve.

Sipas tij, kjo ka bërë që invalidët e luftës të përballen me vështirësi për mbulimin e këtyre shpenzimeve.
Ai ka theksuar se, përmes bashkëpunimit me organizatat dhe shoqatat e dala nga lufta, në veçanti me organizatat që përfaqësojnë veteranët dhe invalidët e luftës, është krijuar një sistem që e rregullon këtë proces përmes një udhëzimi administrativ dhe një vendimi të Qeverisë.
“Deri në vitin 2024, mbulimi i protezave ka ndodhur në një mënyrë pak a shumë jo-institucionale, që ka qenë në vullnetin shpeshherë të qeverive për të ndarë apo mos të ndarë fonde”, ka deklaruar Vitia.
“Dhe shpeshherë kanë hasur në telashe dhe për këtë arsye bashkëpunimi i shoqatat e dala nga lufta, në veçanti me organizatën e veteranëve e invalidëve të luftës, e kemi bërë një sistem ku e kemi institucionalizuar këtë proces dhe tani as edhe një invalid i luftës, po e përsëris, qoftë civil apo ushtar, nuk ka shans të mos i përgjigjet me subvencionim të plotë”, ka deklaruar tutje ai.
Burimi: Dukagjini




