Historia e automobilizmit britanik u rikthye në rrugët e Londrës të dielën, më 1 nëntor, kur dhjetëra makina të vjetra morën pjesë në garën tradicionale “London to Brighton Veteran Car Run”.

Udhëtimi prej 97 kilometrash, nga Hyde Park në Londër deri në bregdetin jugor të Anglisë, mblodhi automjete të prodhuara në periudhën e hershme të automobilizmit, transmeton Telegrafi.
Disa prej tyre lëvizën me shpejtësi prej vetëm 12 deri në 20 milje në orë, duke dëshmuar dallimet e mëdha mes teknologjisë së atëhershme dhe makinave moderne.
Ngjarja e këtij viti shënoi 140-vjetorin e prezantimit të automjetit Patent-Motorwagen nga Karl Benz, i konsideruar gjerësisht si makina e parë e prodhuar për përdorim në seri.
Gjatë garës nuk munguan as vështirësitë teknike. Një prej automjeteve pësoi defekt në rrugën The Mall, duke treguar sfidat që shoqërojnë drejtimin e makinave të kësaj periudhe.
Për pjesëmarrësit, kjo garë nuk ka të bëjë vetëm me mbërritjen në destinacion, por edhe me përjetimin e mënyrës se si udhëtonin automobilistët më shumë se një shekull më parë. Drejtimi i këtyre automjeteve kërkon durim, kujdes dhe njohuri të veçanta mekanike.
Shaun Harborne, i cili drejtonte një Renault Type D të vitit 1901, tha se këto makina janë mjaft delikate, pasi sistemi i amortizimit, frenat, tufa dhe kutia e shpejtësive kërkojnë trajtim të kujdesshëm.
Ndërsa Karl-Heinz Jungbeck, i cili kishte udhëtuar nga Mynihu me një Lacoste & Battmann të vitit 1903, tha se pjesëmarrja në këtë aktivitet u jep shoferëve mundësinë të përjetojnë një pjesë të aventurës që automobilistët përjetonin më shumë se 100 vjet më parë. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com




