Shqiptarët janë një komunitet i rëndësishëm në Gjermani, duke përbërë një pjesë të veçantë të shoqërisë atje.

Mirëpo, që nga fillimet e para të migrimit atje, shqiptarët janë njohur për përfshirje në punë fizike, sidomos në ndërtim, apo, siç njihet si “baushtellë”.
Por, kohëve të fundit, kjo dukuri po ndryshon, sidomos te gjeneratat e reja, që po zënë vende pune në fusha të shumta, falë shkollimit që po e përfundojnë atje.
Kështu ka thënë edhe politikani shqiptar në Gjermani, Deli Balidemaj, në një bisedë për Telegrafin.
Ai renditi fusha si gastronomi, transport, patundshmëri e teknologji, në të cilat shqiptarët në Gjermani janë të integruar.
“Komuniteti shqiptar ka shënuar një zhvillim shumë të rëndësishëm. Dikur shqiptarët në Gjermani njiheshin kryesisht si punëtorë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Sot kemi shumë shqiptarë që drejtojnë biznese të suksesshme, krijojnë vende pune dhe kontribuojnë në ekonominë gjermane.
Ata janë të pranishëm në ndërtimtari, gastronomi, transport, tregti, patundshmëri, shërbime, teknologji informative dhe gjithnjë e më shumë edhe në profesione akademike e inovative. Ajo që më gëzon veçanërisht është zhvillimi i gjeneratës së dytë dhe të tretë, e cila po hyn me sukses në profesione të kualifikuara, në teknologji, mjekësi, inxhinieri dhe sipërmarrje moderne. Megjithatë, mendoj se potenciali ynë ekonomik ende nuk është shfrytëzuar sa duhet, sidomos në raport me Kosovën” ka theksuar ai.
Po ashtu, Balidemaj tha se do dëshironte që të kishtë më shumë bashkëpunim mes bizneseve në Kosovë dhe në Gjermani.
“Do të dëshiroja të shihja më shumë bashkëpunim ndërmjet ndërmarrjeve shqiptare në Gjermani dhe bizneseve në Kosovë, më shumë investime në prodhim, teknologji, energji të ripërtëritshme dhe në hapjen e vendeve të qëndrueshme të punës” përfundoi politikani./Telegrafi/





