Veprimtari dhe filantropi i njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka ndërmarrë një nismë humanitare për të ndihmuar familjet në nevojë në Ruandë, duke premtuar një donacion prej 12 mijë dollarësh.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook antropologia dhe humanistja amerikane Janet Reineck, themeluese e organizatës “World Dance for Humanity” dhe mike e kahershme e Kosovës dhe shqiptarëve, shkruan Telegrafi.
Reineck ka treguar se gjatë qëndrimit të saj në Nju Jork është takuar me Bajraktarin, me të cilin, përveç diskutimeve për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, ka biseduar edhe për angazhimin e organizatës së saj në Ruandë.
Organizata aktualisht mbështet 14,125 persona që jetojnë në varfëri të skajshme në këtë vend afrikan.
I prekur nga puna humanitare e organizatës, Bajraktari ka premtuar 12 mijë dollarë për blerjen e 12 lopëve për familjet në nevojë, nga një në nder të secilit prej 12 nipërve dhe mbesave të tij, me rastin e festës së Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes këtij kontributi, familjet do të kenë mundësi të sigurojnë qumësht për fëmijët, të zhvillojnë veprimtarinë bujqësore dhe të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme ekonomike.
Bajraktari, përmes këtij gjesti, ka synuar që te brezat e rinj të përcjellë edhe vlerat me të cilat është edukuar nga prindërit e tij.
“Shpresoj që një ditë, kur nipërit dhe mbesat e mia ta kujtojnë këtë dhuratë, të kenë mësuar një mësim të rëndësishëm që ma kanë mësuar prindërit e mi: suksesi ynë nuk matet thjesht me atë që arrijmë për veten, por me të mirën që bëjmë për të tjerët. Dua që ata ta kuptojnë se mirësia dhe bujaria nuk njohin kufij”, ka thënë Bajraktari, sipas postimit të Reineck.
Humanistja amerikane, në emër të organizatave “World Dance for Humanity” dhe “World Dance Kosova”, ka falënderuar filantropin shqiptaro-amerikan për kontributin e tij.
“Faleminderit nga zemra, Harry, për këtë dhuratë të jashtëzakonshme dhe për përcjelljen te brezi i ri të vlerave të bukura të bujarisë, dhembshurisë dhe solidaritetit”, ka shkruar Reineck.
Nisma e Bajraktarit përbën një tjetër shembull të angazhimit humanitar të diasporës shqiptare, duke shtrirë solidaritetin edhe përtej kufijve të Kosovës dhe komunitetit shqiptar./Telegrafi/





