Një ngjarje e rëndë dhe me shumë pikëpyetje ka tronditur opinionin publik, pasi 26-vjeçarja Blerta Hyseni ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit në orët e para të së hënës, pasi paraprakisht ishte ndaluar nga Policia në pikën kufitare të Vërmicës në një rast me narkotikë, shkruan Gazeta Sinjali.

Si nisi e gjitha?
Ngjarja ka filluar të dielën, më 15 nëntor, rreth orës 18:00, kur hetuesit e antidrogës ndaluan në Vërmicë një veturë luksoze të tipit BMW X6. Brenda automjetit ndodheshin e ndjera Blerta Hyseni dhe i dyshuari Adnan Podvorica.
Gjatë kontrollit të detajuar në veturë, policia gjeti dhe sekuestroi 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, e cila ishte e kamufluar.
Dyshimet për fshehje droge në trup dhe dërgimi dy herë në spital
Pas ndalimit dhe nisjes së procedurave hetimore, hetuesit ngritën dyshime se 26-vjeçarja mund të kishte gëlltitur ose fshehur në trup substanca narkotike. Për këtë arsye, sipas burimeve të Sinjalit, ajo u dërgua në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, përfshirë kontrollin gjinekologjik dhe atë me ultrazë.
Sipas informacioneve të siguruara, e reja ishte dërguar dy herë në emergjencë. Gjatë zhvillimit të procedurave policore, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua rëndë. Asaj iu dha ndihma e parë nga zyrtarët dhe u transportua me shenja jete drejt spitalit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo ndërroi jetë në orët e para të 16 nëntorit.
A ishte mbidozë? Pritet obduksioni
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjatë trajtimit të rastit, nga një mjek është përmendur dyshimi për një mbidozë të rëndë nga substancat narkotike, por një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë i 26-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, rezultatet e të cilit pritet të zbardhin shkakun e saktë të vdekjes dhe nëse ajo kishte gëlltitur apo jo narkotikë.
Dy hetime paralele
Aktualisht, autoritetet janë duke zhvilluar dy hetime të ndara:
Hetimi i vdekjes: Për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes së Blerta Hysenit, ku janë angazhuar edhe kriminalistika.
Posedimi i narkotikëve: Adnan Podvorica mbetet person i dyshuar për 105.7 gramët kokainë të sekuestruara në Vërmicë dhe përgjegjësia e tij penale është objekt i hetimeve të mëtejshme.
Shënim: Personat e apostrofuar prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





