Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Dr. Ilir Kurtishi, ka reaguar pas deklaratave të shoqatës “Renesansa” lidhur me rastin e një pacienteje me kancer, e cila, sipas shoqatës, mbeti rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib, para se sëmundja t’i përparonte me shfaqjen e metastazave të reja në tru, që pasoi me vdekjen e saj.

Kurtishi ka mohuar pretendimet se pacientët kanë mbetur për katër muaj pa këtë terapi për shkak të mungesës së barit në Klinikën e Onkologjisë, duke theksuar se përparimi i kancerit metastatik mund të ndodhë edhe te pacientët që marrin trajtim të rregullt.
“Barnat e gjeneratës së re, përfshirë Palbociclib, janë terapi mbështetëse që synojnë të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, por shkenca mjekësore fatkeqësisht nuk garanton ndalimin e plotë të saj te çdo pacient”, deklaron Kurtishi.
Ai ka bërë të ditur se do të publikohen detaje nga historia mjekësore e pacientes, duke respektuar normat ligjore të konfidencialitetit, përfshirë informacionet lidhur me marrjen e terapisë.
Sipas Kurtishit, pas reagimit të shoqatës, QKUK-ja ka kontaktuar drejtpërdrejt me përfaqësuesit e “Renesansës”, të cilët, sipas tij, kanë konfirmuar se pacientja ishte përballur për herë të dytë me sëmundjen, në një stad të avancuar.
“Shoqata “Renesansa” është kontaktuar drejtpërdrejtë nga QKUK pas reagimit dhe gjatë këtij komunikimi, përfaqësuesit e Shoqatës kanë konfirmuar se pacientja po përballej me sëmundjen për herë të dytë në një stad të avancuar dhe ka qenë në gjendje të trajtimit për shkak të metastazave”, shprehet tutje Kurtishi.
Në reagimin e tij, drejtori i Klinikës së Onkologjisë ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes, ndërsa ka theksuar se vlerësimi i ecurisë së sëmundjes dhe vendimet për trajtimin duhet të bazohen në shqyrtimin e plotë të historisë mjekësore të secilit pacient.
Ai ka ftuar gjithashtu shoqatën “Renesansa” që ta bëjë publik sqarimin e tij, duke theksuar se Klinika e Onkologjisë mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




