Ka vazhduar sot në Prishtinë protesta e radhës në shenjë revolte ndaj vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës të dielën e kaluar.

Protestuesit në orët e pasdites kanë nisur marshin e tyre nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke shpalosur kërkesat e tyre për drejtësi dhe mbrojtje më të madhe për gratë që përballen me dhunën.
Një aktiviste, në emër të protestuesve, ka kërkuar shkarkimin e ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Ajo po ashtu ka kërkuar që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare, transmeton KosovaPress.
“Kërkojmë drejtësi për Arlindën dhe për gratë e vrara. Kërkojmë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare”, ka thënë ajo.
Ndër kërkesat e protestuesve janë edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu i pavarur i sistemit të drejtësisë dhe legalizimi i sprejit për vetëmbrojtje për gratë.
Protesta është shoqëruar me thirrjet “Drejtësi për Arlindën!” dhe “Drejtësi për gratë e vrara!”
Pas protestës para ndërtesës së Qeverisë, marshuesit janë nisur drejt Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dje ka prezantuar raportin për vrasjen e Arlinda Zekajt, të hartuar nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Bazë Gjinore, i cili nxjerrë në pah mangësi serioze në trajtimin institucional të rastit.
Gërvalla ka theksuar se vrasja e Arlinda Zekajt do të mund të parandalohej nëse institucionet përgjegjëse do të reagonin me kohë ndaj raportimeve për dhunë dhe kërcënimeve që ajo kishte bërë.
Sipas raportit, Arlinda Zekaj kishte raportuar për herë të parë dhunën në polici më 10 korrik 2026. Ndërsa, pavarësisht kërkesave të saj për mbrojtje, në trajtimin e rastit nga Gjykata Themelore në Pejë janë evidentuar vonesa që kanë tejkaluar afatet ligjore.
Gërvalla ka theksuar se nga dokumentacioni i shqyrtuar nuk rezulton që gjyqtari përgjegjës të ketë ndërmarrë ndonjë veprim për adresimin e moszbatimit të urdhrit mbrojtës.
Ajo ka shtuar se deri në prezantimin e raportit nuk kishte asnjë informacion se në çfarë forme do të trajtohen shkeljet e evidentuara në veprimet e gjyqtarit përgjegjës dhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë. Ndërkohë, njoftoi se së shpejti do ta hartojnë strategjinë e re kombëtare për dhunën në familje dhe ndaj grave.
Arlinda Zekaj u vra të dielën e kaluar nga kunati i saj në mënyrë makabre, duke shkaktuar reagime të shumta te qytetarët dhe institucionet. Në lidhje me rastin janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, kryeprokurorja në Pejë dhe prokurorja në Pejë. Ndërsa dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Protesta të ngjashme sikurse këto në Prishtinë ditëve të kaluara janë mbajtur edhe në Ferizaj, Pejë dhe Mitrovicë, ndërsa është paralajmëruar se ato do të vijojnë edhe ditëve në vazhdim.



