Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka reaguar pas humbjes së republikanëve në zgjedhje, duke kritikuar strategjinë e Partisë Republikane dhe vendimet e administratës së Donald Trumpit, në një qëndrim që është interpretuar si përpjekje për t’u distancuar nga presidenti dhe për të ruajtur ambiciet e tij politike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Përmes një reagimi të publikuar të mërkurën në platformën X, Vance ka kritikuar mënyrën se si republikanët e zhvilluan fushatën dhe përcollën mesazhet e tyre ekonomike, duke argumentuar se partia kishte humbur kontaktin me realitetin e qytetarëve, të cilët po përballen me rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës.
Siç raporton CNN, kritikat e zëvendëspresidentit preknin drejtpërdrejt edhe vendimet strategjike të presidentit Trump, veçanërisht ato që lidhen me luftën dhe ndikimin e saj në ekonominë amerikane.
Në një nga deklaratat më të drejtpërdrejta, Vance shkroi: “Arsyeja pse humbëm është lufta”, duke vënë në pikëpyetje një prej vendimeve më të rëndësishme të mandatit të dytë të Trumpit.
Zëvendëspresidenti paraqiti edhe katër hapa që, sipas tij, do të mund ta rikthenin mbështetjen e votuesve për republikanët:
Përfundimi i luftës.
Përqendrimi te kostoja e jetesës dhe inflacioni.
Vendosja e interesave të Amerikës të parat.
Ndryshimi i marrëdhënieve me Izraelin.
Qëndrimi i Vance shihet jo vetëm si kritikë ndaj mënyrës se si republikanët e menaxhuan fushatën, por edhe si përpjekje për t’iu afruar krahut izolacionist të koalicionit MAGA, i cili kundërshton përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftëra jashtë vendit.
Ky krah përfaqësohet edhe nga komentatori politik Tucker Carlson, i cili vazhdon të mbështesë shmangien e konflikteve të huaja, një prej parimeve që Donald Trump kishte përdorur për të fituar mbështetjen e elektoratit të tij.
Pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e së martës, vëmendja tashmë është përqendruar te ndikimi që lufta në Iran mund të ketë në garën presidenciale të vitit 2028.
Sipas CNN, mbetet e paqartë nëse figura të administratës Trump që kanë qenë të lidhura me këtë konflikt, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, do të arrijnë ta mbrojnë qëndrimin e tyre për luftën gjatë fushatës së ardhshme presidenciale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




