Industria evropiane e aviacionit po përballet me një valë të re kërcënimesh me bomba, ku të paktën 32 raste kanë prekur rreth 12 kompani ajrore brenda vetëm katër ditësh.

Megjithëse të gjitha kërcënimet e raportuara deri tani kanë rezultuar të rreme, ato kanë detyruar linjat ajrore të ndërmarrin masa emergjente. Disa avionë janë shoqëruar nga mjete ushtarake, ndërsa të tjerë kanë ndryshuar itinerarin dhe janë ulur në aeroporte të ndryshme nga destinacionet e planifikuara.
Një nga rastet më të pazakonta ishte ai i një fluturimi të Aer Lingus, i cili u detyrua të ulej në një bazë ajrore rreth 1 mijë kilometra larg destinacionit, pasi i mbaroi karburanti gjatë devijimit.
Ekspertët e sigurisë së aviacionit theksojnë se çdo kërcënim duhet të trajtohet si serioz deri në përfundimin e kontrolleve përkatëse. Sipas tyre, procedurat përfshijnë inspektimin e avionëve dhe kontrollin për praninë e eksplozivëve, edhe kur pasagjerët nuk janë në dijeni të situatës.
Shqetësimi kryesor lidhet me natyrën në dukje të rastësishme të objektivave dhe mungesën e informacionit të besueshëm për autorët. Disa kërcënime janë dërguar përmes telefonatave dhe të tjera përmes postës elektronike.
Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që kjo valë të jetë pjesë e një strategjie të luftës hibride, që synon të krijojë pasiguri dhe kaos në transportin ajror evropian. Megjithatë, deri tani nuk ka prova të konfirmuara për autorët apo për ndonjë organizim të përbashkët pas këtyre incidenteve.
Pavarësisht se dëmi i drejtpërdrejtë është kufizuar te mijëra pasagjerë dhe kostot financiare për kompanitë, autoritetet dhe linjat ajrore vijojnë të jenë në gatishmëri.
Sipas legjislacionit britanik për sigurinë e aviacionit, komunikimi i qëllimshëm i informacioneve të rreme që rrezikojnë sigurinë e një avioni përbën vepër të rëndë penale, e dënueshme deri me burgim të përjetshëm.
Burimi: Insajderi




