Rreth 9 milionë njerëz në Afganistan, Ukrainë, Siri dhe Liban do të kenë nevojë për ndihmë shtesë këtë dimër, paralajmëroi Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR), duke nisur një apel për mbledhjen e 50 milionë dollarëve për të ndihmuar familjet në nevojë që t’u bëjnë ballë temperaturave të ftohta gjatë dimrit.

“Dimri po afron me shpejtësi dhe presim që 9 milionë njerëz në Afganistan, Ukrainë, Siri dhe Liban të kenë nevojë për mbështetje shtesë”, tha drejtoresha për marrëdhënie të jashtme e UNHCR-së, Dominique Hyde.
Ajo tha se fushata kërkon kontribute nga individët dhe sektori privat për të siguruar pajisje ngrohëse, batanije, veshje të ngrohta, ndihmë me lëndë djegëse si dhe materiale për riparimin e shtëpive të dëmtuara.
Hyde shtoi se rritja e çmimeve të naftës, transportit dhe ushqimeve po ushtron presion shtesë mbi popullatat e zhvendosura.
“Të gjithë po e ndiejmë këtë. Kostoja e jetesës po rritet”, tha ajo duke theksuar se ndikimi është veçanërisht i rëndë për refugjatët.
Në Ukrainë, përshkallëzimi i sulmeve me dronë dhe raketa ka dëmtuar infrastrukturën civile dhe ka çuar në ndërprerje të përditshme të energjisë elektrike ndërsa rreth 10.8 milionë njerëz do të kenë nevojë për ndihmë humanitare këtë vit.
Hyde tha se një donacion prej 135 dollarësh mund të sigurojë një paketë dimërore, e cila përfshin një ngrohëse dhe materiale për izolimin dhe riparimin e dritareve të dëmtuara.
Në Afganistan, ku që nga shtatori i vitit 2023 janë regjistruar rreth 6.5 milionë kthime, një kontribut prej 35 dollarësh mund të sigurojë një pajisje tradicionale ngrohëse për një familje.
Veç kësaj, rreth 1.7 milionë refugjatë dhe pothuajse 1.9 milionë persona të zhvendosur brenda vendit janë kthyer në Siri që nga dhjetori i vitit 2024.
Hyde tha se rreth 2.4 milionë njerëz në zonat prioritare të Sirisë pritet të kenë nevojë për ndihmë dimërore këtë vit, por agjencia parashikon se do të mund të arrijë numër shumë më të vogël njerëzish.
“Kapaciteti ynë aktual për të ofruar ndihmë po kufizohet pikërisht në momentin kur kjo ndihmë është më e nevojshme”, theksoi ajo. /AA/




