Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të enjten se Turqia ruan stabilitetin, ndërsa merr përsipër përgjegjësinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes luftërave, konflikteve dhe krizave në fqinjësinë e saj të afërt dhe në mbarë botën.

Në një mesazh video me rastin e 103-vjetorit të Ditës së Republikës, Erdogan uroi kombin turk, qipriotët turq dhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit për festën kombëtare të 29 tetorit.
Ai gjithashtu përshëndeti të pranishmit në misionet diplomatike të Turqisë, si dhe njerëzit në të gjithë sferën e saj gjeografike e kulturore, të cilët ndajnë gëzimet dhe hidhërimet e vendit.
Erdogan theksoi se republika është dëshmia më e fortë e vendosmërisë së kombit turk për të jetuar i lirë, për të mbetur i pavarur dhe për të përcaktuar vetë të ardhmen e tij.
Ai u shpreh se lufta kombëtare, e udhëhequr nga Mustafa Kemal Ataturku – themeluesi i Republikës së Turqisë – ka treguar se çfarë mund të arrijë një komb i bashkuar, edhe në rrethanat më të vështira, shkruan TrtWorld, përcjell Telegrafi.
Kjo arritje, e realizuar pavarësisht kufizimeve të rënda, ndryshoi fatin e kombit dhe rikonfirmoi fuqinë e vullnetit kombëtar, si dhe të drejtën për të jetuar në mënyrë të pavarur, shtoi ai.
Erdogan theksoi se Turqia do të mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe drejtësisë, nën moton: “Paqe në shtëpi, paqe në botë”.
Ai theksoi se vendosmëria dhe guximi i treguar nga kombi 103 vite më parë vazhdojnë të frymëzojnë vendin, duke i cilësuar përparimet e 24 viteve të fundit në fushën e mbrojtjes, energjisë, transportit dhe diplomacisë si hapa thelbësorë drejt një Turqie më me ndikim dhe më të begatë.
Presidenti turk deklaroi se vendi po zhvillon teknologjinë e vet, po zgjeron kapacitetet e mbrojtjes, po forcon sigurinë e furnizimit me energji, po modernizon infrastrukturën e transportit dhe po rrit kapacitetet prodhuese.
Erdogan u shpreh se kombi prej 86 milionë banorësh do ta shndërrojë në realitet vizionin e tij për “Shekullin e Turqisë” dhe do ta udhëheqë republikën drejt një të ardhmeje më të ndritur.
“Turqia, falë Zotit, është më e fortë sot sesa ishte dje. Në dashtë Zoti, nesër do të jetë edhe më e fortë, më e respektuar dhe më me ndikim në çdo fushë”, tha ai, duke shtuar se kombi turk do të lërë gjurmët e tij në këtë shekull.
Ai e përmbylli duke përkujtuar Ataturkun, bashkëluftëtarët e tij, heronjtë e luftës kombëtare dhe ata që dhanë jetën për atdheun, ndërsa shprehu mirënjohje për veteranët. /Telegrafi/




