Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka cilësuar zgjedhjet presidenciale të mbajtura këtë javë në Brazil si “turp” dhe “poshtërim” për popullin brazilian.

I pyetur nga gazetarët se kë e konsideron fitues legjitim të zgjedhjeve, Trump tha se për momentin nuk dëshiron të komentojë këtë çështje.
“Por mendoj se këto zgjedhje ishin një turp i madh për popullin e Brazilit”, deklaroi ai, duke shtuar se i kishte ndjekur zhvillimet pa mbështetur asnjërën palë.
Trump pretendoi se kishte pasur mospërputhje gjatë procesit zgjedhor, duke iu referuar edhe performancës së tregjeve financiare si dëshmi të asaj që e quajti një situatë të turpshme për Brazilin.
Deklaratat e tij vijnë pasi kandidati i mundur në zgjedhjet presidenciale, Flavio Bolsonaro, mbërriti në SHBA pas humbjes ndaj presidentit Luiz Inacio Lula da Silva në raundin e dytë të së dielës.
Bolsonaro ka pretenduar për manipulim të zgjedhjeve, pa paraqitur prova, dhe ka deklaruar se do ta udhëheqë opozitën nga Florida.
Ai u largua nga Brazili pavarësisht një urdhri të Gjykatës Supreme, që i kërkonte dorëzimin e pasaportave në kuadër të një hetimi për dyshime mbi pastrim parash dhe mashtrim financiar.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se Bolsonaro dhe familjarët e tij të afërt kishin marrë viza për të hyrë në SHBA.




