Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të premten se Uashingtoni mund të ndërmarrë një tjetër operacion ushtarak kundër Iranit, ndërsa lufta po i afrohet muajit të tetë dhe rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon në klimën politike para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.

“Mund të bëjmë një tjetër Furi Epike të vogël” – tha Trump në një tubim në Florida, ku po fliste për luftën. Presidenti amerikan nuk dha hollësi të tjera, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Furia Epike” është emri që ushtria amerikane ka përdorur për operacionin ushtarak kundër Iranit.
Më herët të premten, Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund ta përfundojnë luftën brenda një kohe të shkurtër, por ngriti pikëpyetje nëse Uashingtoni duhet të synojë një përfundim të shpejtë të konfliktit apo ta lejojë atë të shkojë gradualisht drejt fundit.
Presidenti amerikan, i cili gjatë luftës ka paraqitur qëllime dhe afate të ndryshme për përfundimin e saj, kishte deklaruar më herët gjatë këtij muaji se SHBA-ja nuk do të ndërmerrte sulme të reja ndaj Iranit para zgjedhjeve amerikane për kontrollin e Kongresit.
Ndërkohë, sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit, si dhe sulmet izraelite ndaj Libanit, kanë shkaktuar mijëra viktima dhe kanë detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




