Trump kritikon republikanët, por pranon se demokratët bënë “punë të mirë” në zgjedhje

Trump kritikon republikanët, por pranon se demokratët bënë “punë të mirë” në zgjedhje

Trump kritikon republikanët, por pranon se demokratët bënë “punë të mirë” në zgjedhje

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar republikanët pas humbjeve në zgjedhjet afatmesme, ndërsa ka pranuar se demokratët kanë bërë “punë të mirë”, pasi siguruan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Sponsor 3M Express

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump sulmoi Greg Abbottin, i cili humbi garën për guvernator të Teksasit ndaj demokrates Gina Hinojosa. Presidenti pretendoi se Abbot nuk do ta kishte humbur garën nëse gjatë gjashtë muajve të fundit nuk do të ishte shndërruar në një “RINO”, shkurtesë për shprehjen “Republikan vetëm në emër”.

Trump deklaroi gjithashtu se, nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar “me një rezultat dërrmues”, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, ai tha se i pranonte rezultatet e zgjedhjeve. Në një intervistë për gazetën “The New York Times”, Trump u shpreh se ishte “plotësisht i gatshëm t’i pranonte” ato dhe shtoi se mezi priste të bashkëpunonte me demokratët.

“Me siguri do të gjejmë një mënyrë për të arritur marrëveshje”, tha ai.

Në një intervistë tjetër për Fox News, presidenti pranoi se ishte “paksa i befasuar” nga rezultati zgjedhor. Megjithatë, paralajmëroi se demokratët do të dërgonin në tavolinën e tij ligje “absurde”, të cilat ai do t’i bllokonte përmes vetos.

“Pas disa muajsh vetosh, ata do të telefonojnë dhe do të pyesin: ‘Si mund t’i miratojmë këto nisma?’. Atëherë do të bashkëpunojmë”, deklaroi Trump.

Në Truth Social, ai publikoi edhe një fotografi të një kapeleje të kuqe, të ngjashme me ato që zakonisht mbajnë sloganin e tij “Make America Great Again”, por kësaj radhe me fjalën “VETO”. Postimi dukej se i referohej kompetencës së presidentit për të bllokuar ligjet e miratuara nga Kongresi.

Ndërsa humbjet e republikanëve po bëheshin gjithnjë e më të dukshme, Trump njoftoi në të njëjtën platformë se do të bëhej “komentues politik”, duke analizuar arsyet pse kandidatët kishin fituar ose humbur zgjedhjet.

Kritikat e tij të para u drejtuan ndaj Abbottit, humbja e të cilit në Teksas shënon herën e parë në më shumë se 30 vjet që një demokrat fiton postin e guvernatorit në këtë shtet.

“Nëse Greg Abbott, guvernatori i Teksasit, nuk do të ishte bërë RINO gjatë gjashtë muajve të fundit të karrierës së tij politike, nuk do t’i kishte humbur zgjedhjet. Ai iu kthye formulës së tij të vjetër dhe nuk përfundoi mirë”, shkroi Trump.

Termi “RINO” përdoret brenda Partisë Republikane për të kritikuar anëtarët që konsiderohen se nuk janë besnikë ndaj parimeve ose qëndrimeve të partisë.

Trump u distancua edhe nga disa kandidatë të tjerë republikanë që garuan në këto zgjedhje. Në një intervistë për CBS News, ai tha se në disa raste votuesve nuk u kishin pëlqyer kandidatët, ndërsa në raste të tjera ata nuk kishin qenë miq të tij.

Presidenti kritikoi gjithashtu disa herë televizionin Fox News për mënyrën se si e kishte mbuluar mbrëmjen zgjedhore. Ai e akuzoi rrjetin se kishte shpenzuar tepër kohë duke raportuar për demokratët dhe pretendoi se rënia e audiencës së tij nuk kishte ndodhur për shkak të Trumpit, por sepse televizioni ishte “kundër tij”.

Trump shprehu pakënaqësi edhe për intervistën që Fox News i kishte realizuar ish-kryetarit të bashkisë së New Yorkut, Bill de Blasio, të cilin e quajti “kryetarin më të keq të bashkisë në historinë e qytetit”.

“Ai u largua nga qyteti në turp dhe dëmi që shkaktoi ishte i pallogaritshëm”, shkroi presidenti amerikan. /Telegrafi/

Lexo edhe

Pas supermarketeve, edhe një bankë franceze ‘bie viktimë’ e një sulmi – janë vjedhur më shumë se 118 milionë euro

Pas supermarketeve, edhe një bankë franceze ‘bie viktimë’ e një sulmi – janë vjedhur më shumë se 118 milionë euro

Vetëm 43 vota dallojnë kandidatët për Senatin në Misisipi

Vetëm 43 vota dallojnë kandidatët për Senatin në Misisipi

Konfirmohet lëndimi i Rodrit, ja sa ndeshje do t’i mungojë Barcelonës

Konfirmohet lëndimi i Rodrit, ja sa ndeshje do t’i mungojë Barcelonës